Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, tha se opozita mbështet iniciativën e Presidentit amerikan Donald Trump për “Bordin e Paqes”, por mënyra se si u thirr seanca është përtej të gjitha kritereve, ligjeve, Kushtetutës dhe Rregullores.
“Pavarësisht nga kjo, ne jemi këtu për të dëshmuar mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundshme në politikat e sigurisë të SHBA.
Në qëndrimin tonë pa ekuivok në mbështetje të këtyre politikave pasi SHBA janë aksionari më kryesor i paqes dhe sigurisë në botë.
Ne mbështesim plotësisht këtë iniciativë të presidentit Donald Trump edhe për faktin se në dallim nga shumë kombe të tjera, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se sa SHBA, veçanërisht në dekadat e fundit me çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e saj.
Në këtë kohë, për sa kohë SHBA qëndrojnë në zotimet e tyre për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne qëndrojmë në çdo problem sigurie pa mëdyshje në anën e SHBA”, tha Berisha.
Ai u shpreh se Bordi i Paqes ngrihet për një nga aktet më të jashtëzakonshme, ndërprerjen e luftës në Gaza dhe këtu presidenti i SHBA ka një meritë historike, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Berisha u shpreh se seanca merr një karakter të paimagjinueshëm vetëm e vetëm për shkak të përpjekjes primitive të një njeriu që tani po i vjen fundi që ta personalizojë këtë dhe çdo gjë tjetër si mburojë, pasi ajo që i rri në krah, po e merr me vete.
“Është ai, i cili figuron në të gjitha analet ndërkombëtare si bashkëpunëtor i kryekartelit të botës, që është Sinaloa e Meksikës.
Është ai, i cili figuron kreu i organizatës kriminale me lidhjet më të fuqishme me kartelet e drogës, kartelet shqiptare të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, dhe që ka urdhëruar takimin në Aruba.
Është ai, i cili e ka shndërruar agjencinë shtetërore të Mirlindës në turpin e shekullit.
Në agjencinë më mafioze të planetit, që mund të ndodhë në organizatat e mafies të marrin peng, por që ndërmarrja shtetërore, agjencia shteërore të organizojë pengmarrje... pse i ngre duart ti ashtu? Kujton se e mbron ti ashtu?”, tha Berisha.
Kreu demokrat ripërsëriti kërkesën e opozitës që nga dokumenti t’i hiqej emri Edi Ramës.
“Hajde urdhëro, ta votojmë siç duhet, por pa emrin që nxin. A e morët vesh ju që vetë presidenti tha se në atë listë janë dy- tre emra që nuk dua t’ua dëgjoj kurrë emrin.
Po, e tha, shkoni dhe merreni.
Për kë e kishte fjalën?
Po sigurisht që ai nuk do të dëgjojë Lukashenkos, ai nuk mund t’ia dëgjojë Ramaduros?
A e kuptoni se çfarë ka bërë ky?
A e kuptoni që në një samit ndërkombëtar ku i lejoi vetes të tallet me të vetëm për t’iu servilos Makronit?
A e kuptoni ju se nuk mund të tallesh kurrë në një samit ndërkombëtar me asnjë burrë shteti aty të vendeve të lira?
Kurse ky xhokatar dilte prej atje dhe ua thoshte edhe medieve”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje