Ajo që është përgatitur për Malin e Zi nuk është vetëm një kornizë ligjore për pranimin e tij, por edhe një plan se si negociohen, mbrohen dhe mbështeten zgjerimet e ardhshme...
E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian po shkruhet tashmë në Mal të Zi. Jo thjesht sepse Mali i Zi ka shumë gjasa të bëhet shteti i ardhshëm anëtar, apo sepse është vendi kandidat më i avancuar në Ballkanin Perëndimor. Arsyeja është se Mali i Zi është bërë vazhdimisht laboratori ku Bashkimi Evropian ka testuar evolucionin e politikës së tij të zgjerimit.
Ai ishte vendi i parë kandidat që negocioi sipas qasjes "themeloret së pari" (fundamentals first), e cila vendosi sundimin e ligjit në qendër të procesit të anëtarësimit. Ishte i pari që funksionoi sipas sistemit të objektivave të përkohshëm (interim benchmarks). Gjithashtu Mali i Zi ishte i pari që mori një IBAR pozitiv (Raporti i Vlerësimit të Përmbushjes së Objektivave të Përkohshëm). Sot, ai është gjithashtu i vetmi vend kandidat për të cilin Bashkimi Evropian ka krijuar një grup pune ad hoc për përgatitjen e traktatit të anëtarësimit.
Kjo nuk është thjesht dëshmi se Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit. Ajo sugjeron diçka edhe më të rëndësishme: se Mali i Zi po bëhet vendi ku Bashkimi Evropian po teston mënyrën se si duhet të funksionojë zgjerimi në një epokë të karakterizuar njëkohësisht nga urgjenca gjeopolitike dhe shqetësimet për qëndrueshmërinë demokratike.
Koha nuk mund të ishte më domethënëse. Për vite me radhë, Brukseli ka këmbëngulur se zgjerimi është një domosdoshmëri gjeopolitike. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës vetëm sa e ka përforcuar argumentin se përfshirja e demokracive aspirante në familjen evropiane është një imperativ strategjik. Megjithatë, shumë shtete anëtare vazhdojnë të hezitojnë ta përqafojnë plotësisht zgjerimin, të ndikuara nga një shqetësim i vazhdueshëm: çfarë ndodh nëse anëtarët e rinj pësojnë regres në demokraci dhe sundimin e ligjit pasi të jenë bërë pjesë e Bashkimit?
Për më shumë se një dekadë, mbështetësit e zgjerimit e kanë humbur këtë debat. Jo sepse argumenti gjeopolitik për zgjerimin është dobësuar, por sepse skeptikët mund të tregojnë shembuj brenda vetë Bashkimit, ku regresi demokratik ka rezultuar i vështirë për t'u parandaluar dhe edhe më i vështirë për t'u kthyer mbrapsht. Sfida nuk është më nëse vendet kandidate mund të zbatojnë reforma përpara anëtarësimit. Sfida është nëse këto reforma mund të mbijetojnë edhe pas anëtarësimit.
Ky tension midis domosdoshmërisë gjeopolitike dhe besueshmërisë demokratike ndodhet tani në zemër të debatit për zgjerimin. Vendeve kandidate u thuhet se reformat do të shpërblehen. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë mekanizma mbrojtës kundër erozionit të ardhshëm të demokracisë.
Prandaj, sfida me të cilën përballet Bashkimi nuk është më nëse duhet të zgjerohet, por si duhet ta bëjë këtë. Gjetja e përgjigjes së duhur është vendimtare jo vetëm për vetë procesin e zgjerimit, por edhe për të ardhmen e demokracisë evropiane. Zgjerimi mbetet një nga politikat transformuese më të suksesshme të Bashkimit Evropian. Ruajtja e këtij suksesi kërkon përshtatjen e tij me realitetet e reja.
Modeli që udhëhoqi raundet e mëparshme të zgjerimit mbështetej mbi një supozim relativisht të thjeshtë: vendet kandidate ndërmarrin reforma para anëtarësimit dhe, pasi bëhen anëtare, standardet demokratike bëhen kryesisht të vetëqëndrueshme. Përvoja e dy dekadave të fundit ka treguar se ky supozim ishte tepër optimist.
Shqetësimet për regresin demokratik e kanë ndryshuar rrënjësisht politikën e zgjerimit. Debati nuk ka të bëjë më vetëm me faktin nëse vendet kandidate përmbushin kriteret e anëtarësimit. Gjithnjë e më shumë ai përqendrohet te pyetja nëse reformat do të mbijetojnë edhe pas anëtarësimit.
Disa përgjigje ndaj këtij shqetësimi kanë qenë të gabuara. Propozimet e fundit, sipas të cilave shtetet që do të anëtarësohen në të ardhmen mund t'i nënshtrohen kufizimeve të caktuara, rrezikojnë të minojnë një nga parimet themelore të Bashkimit Evropian: barazinë ndërmjet shteteve anëtare.
Problemi nuk qëndron vetëm te përmbajtja e këtyre propozimeve. Ai qëndron edhe te mesazhi që ato përcjellin. Pas dekadash të tëra të kaluara në "dhomën e pritjes" së Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk mund t'u kërkohet në mënyrë të arsyeshme të pranojnë një të ardhme me një anëtarësim të cunguar. Anëtarësimi i plotë duhet të nënkuptojë anëtarësim të plotë.
Barazia nuk është vetëm çështje e të drejtës së votës, pjesëmarrjes institucionale apo qasjes në politikat e Bashkimit Evropian. Ajo lidhet gjithashtu me njohjen e identiteteve që shtetet anëtare sjellin në Bashkim. Një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian ka qenë aftësia e tij për të pajtuar integrimin politik me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të diversitetit. Barazia ndërmjet shteteve anëtare nënkupton gjithashtu barazinë e gjuhëve, kulturave dhe traditave kushtetuese.
Ndërsa Mali i Zi i afrohet anëtarësimit, njohja e gjuhës malazeze si gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian nuk duhet parë si një lëshim, por si një shprehje e natyrshme e vetë parimeve mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi. Forca e Evropës nuk ka buruar kurrë nga uniformiteti. Ajo buron nga fakti që çdo anëtar i bashkohet Bashkimit si i barabartë, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e tij të plotë.
Prandaj, përgjigjja ndaj dilemës së Bashkimit Evropian gjendet diku tjetër: në rishqyrtimin e rolit të traktateve të anëtarësimit. Për një kohë të gjatë, traktatet e anëtarësimit janë trajtuar kryesisht si instrumente teknike që formalizojnë anëtarësimin pasi përfundojnë negociatat. Në të vërtetë, ato mund të shndërrohen në diçka shumë më të rëndësishme: në një urë lidhëse ndërmjet kushtëzimit para anëtarësimit dhe respektimit të detyrimeve pas anëtarësimit.
Bashkimi Evropian tashmë disponon një gamë të gjerë instrumentesh për mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike. Problemi nuk është mungesa e mekanizmave mbrojtës. Problemi është pasiguria rreth momentit kur këta mekanizma aktivizohen, mënyrës se si zbatohen dhe nëse ekziston konsensusi i nevojshëm politik për t'i përdorur në mënyrë efektive. Me fjalë të tjera, dobësia nuk qëndron aq te vetë instrumentet, sa te kushtet që rregullojnë zbatimin e tyre.
Pikërisht këtu paraqet një mundësi unike anëtarësimi i Malit të Zi. Në vend që të krijojë forma të reja të anëtarësimit të diferencuar, Bashkimi Evropian duhet t'i përdorë traktatet e anëtarësimit për të përcaktuar qartë dhe në mënyrë transparente se si do të vazhdojnë të mbrohen angazhimet themelore demokratike edhe pas anëtarësimit, duke ruajtur njëkohësisht barazinë e plotë politike që nga dita e parë. Synimi nuk duhet të jetë krijimi i detyrimeve të reja, por t'i bëjë angazhimet ekzistuese më të besueshme, më të parashikueshme dhe më të zbatueshme.
Traktatet e ardhshme të anëtarësimit mund të përmbajnë klauzola mbrojtëse të përcaktuara me saktësi, të lidhura me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe qeverisjen demokratike. Më e rëndësishmja, ato mund të përcaktojnë paraprakisht se kush vlerëson respektimin e këtyre angazhimeve, cilët tregues aktivizojnë masat korrigjuese, çfarë masash mund të zbatohen dhe në çfarë kushtesh ato masa hiqen.
Kushtëzimi financiar meriton vëmendje të veçantë. Bashkimi Evropian tashmë ka filluar ta lidhë qasjen në fondet evropiane me respektimin e standardeve të sundimit të ligjit. Traktatet e ardhshme të anëtarësimit duhet të shkojnë edhe më tej. Ato duhet të përcaktojnë paraprakisht se cilat shkelje sjellin pasoja, cilat institucione janë përgjegjëse për vlerësimin, cilat instrumente financiare mund të preken dhe cilat hapa duhen ndërmarrë që masat korrigjuese të hiqen.
Qëllimi nuk duhet të jetë ndëshkimi. Ai duhet të jetë parashikueshmëria. Një shtet që hyn në Bashkimin Evropian duhet të dijë saktësisht se cilat angazhime vazhdojnë të zbatohen edhe pas anëtarësimit dhe cilat pasoja sjell shkelja e tyre. Nga ana tjetër, shtetet ekzistuese anëtare duhet të kenë sigurinë se zgjerimi nuk mbështetet te besimi i verbër apo vullneti politik i momentit, por te rregulla të përcaktuara qartë dhe të pranuara reciprokisht.
Në këtë kuptim, traktati i anëtarësimit nuk do të ishte më thjesht kapitulli i fundit i negociatave të zgjerimit. Ai do të bëhej hallka që mungon ndërmjet fuqisë transformuese të kushtëzimit para anëtarësimit dhe besueshmërisë së zbatimit të rregullave pas anëtarësimit.
Mali i Zi ndodhet në një pozitë unike për ta udhëhequr këtë ndryshim. Ndryshe nga raundet e mëparshme të zgjerimit, Mali i Zi po negocion në një moment kur Bashkimi Evropian po rishqyrton njëkohësisht politikën e zgjerimit dhe po përballet me mësimet e nxjerra nga regresi demokratik brenda kufijve të vet. Vendi ka ndikuar tashmë në disa nga risitë kryesore të procesit të anëtarësimit. Tani ai mund të ndihmojë në formësimin e hapit të radhës: shndërrimin e traktateve të anëtarësimit nga dokumente teknike përmbyllëse në instrumente që forcojnë qëndrueshmërinë e vetë demokracisë evropiane.
Pasojat e kësaj qasjeje shtrihen shumë përtej Malit të Zi. Vala e ardhshme e zgjerimit ka të ngjarë të përfshijë jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe Ukrainën dhe Moldavinë. Prandaj, pyetja me të cilën përballet Bashkimi Evropian nuk është nëse vetëm Mali i Zi është gati për anëtarësim. Pyetja është nëse Evropa mund të zhvillojë një model zgjerimi që të mbetet i besueshëm si para, ashtu edhe pas anëtarësimit.
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të fillojë pikërisht në Mal të Zi. Ajo që po përgatitet aktualisht nuk është vetëm kuadri ligjor për anëtarësimin e një vendi. Ai do të shërbejë si modeli mbi të cilin do të negociohen, mbrohen dhe mbështeten zgjerimet e ardhshme të Bashkimit Evropian. Në një kohë kur Evropa ka nevojë njëkohësisht për demokraci më të forta dhe për kohezion më të madh gjeopolitik, ky do të ishte një kontribut i rëndësishëm për projektin evropian.
Dhe nuk do të ishte hera e parë që Mali i Zi do të ndihmonte në formësimin e një historie më të madhe evropiane. /Përshtati Pamfleti nga EWB/
Lini një Përgjigje