
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme përbëjnë momentin më historik për vendin që nga viti 1992, duke i cilësuar si një mundësi e rrallë për të çuar përpara procesin e integrimit europian.
Nga Saranda, kryeministri theksoi se dera e Bashkimit Europian është hapur për Shqipërinë, por nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë. Ai e përshkroi këtë si një shans të paprecedent që duhet kapur me përgjegjësi, duke theksuar se BE ka vendosur një afat trevjeçar për përmbylljen e negociatave — një privilegj që nuk i është dhënë asnjë vendi tjetër më parë.
Duke iu referuar historisë, Rama përmendi ëndrrën europiane të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut dhe rilindësve, duke thënë se kjo është një trashëgimi që nuk duhet tradhtuar. Ai u shpreh se gabimet e së shkuarës shpesh ia kemi atribuar të huajve, por në të vërtetë përgjegjësia ka qenë e vetë shqiptarëve.
“Ju e dini mirë, sa herë ishim gati, kur shkonte te 27 krerët e vendeve, edhe pse ishim gati, dilte njëri, e pastaj tjetri dhe na refuzonin negociatat. Më në fund ne i bindëm ata, e ata i hapën negociatat. Por ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët për atë takim me historinë, është se na kanë dhënë një mundësi që s’ia kanë dhënë askujt tjetër. Një afat për të mbyllur negociatat për 3 vjet, asnjë vend tjetër s’i ka bërë në kaq kohë e s’i është dhënë ky afat. Nami i zi që na kishte lënë bufi në Europë. Dhe unë në takimet e mia e ndjeja, ku ata mezi prisnin që unë të ikja. S’e llogariste njeri Shqipërinë atëhere siç e llogarit sot. Ajo që s’duhet të ndodhi është që dera të mos mbyllet dhe ndaj ne duhet t’i qëndrojmë strikt afatit që kanë vënë, e që ata s’e ndërrojnë dot se e kanë vënë. Por nëse lëkunden do jenë të ashpër. Ndaj t’i tregojmë se do e bëjmë procesin me afat”, tha Rama.
Lini një Përgjigje