
Kreu i PS, Edi Rama gjatë takimit elektoral në Gjirokastër duke folur për problemet e shfaqura me votën e Diasporës, i ka bërë thirrje emigrantëve të merren vetë me fletët e votimit, pa pritur që posta tua sjellë në shtëpi.
Rama tha se në Greqi u bë një mishmash me ndarjen e zarfeve, por emigrantëve u bëri thirrje që të votojnë për të marrë në duar pasaportën europiane.
Vota e tyre, tha Rama, nuk mund të mbetet rrugëve si një copë letre pa vlerë.
“Këtu përfitoj nga rasti, duke shpresuar dhe besuar që na shohin nga Greqia. Ju them, ju që jeni regjistruar për të votuar. U bë një mishmash, jo DHL, jo ku e di unë se ca. Por, tanimë mundësia është. Do ju lutesha atyre që janë regjistruar, të marrin zarfin, të marrin votën, të vendosin edhe ata për ta çuar në vend këtë amanet shekullor, për t’iu dhënë fëmijëve në Greqi dhe vetes tyre, këtë pasaportë europiane. Shqiptarët e Greqisë e janë ata që mund ta kuptojnë më mirë se gjithë shqiptarët, se ca do të thotë. Kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, kjo nuk është thjesht që ne kur shkojmë në aeroporte të mos na nxjerrin ashtu si të huaj, si qytetarë të dorës së dytë, për të filluar të na kontrollojnë.
Ata që kanë kaluar malet, që janë rropatur dhe presin me ankth a do ju njihet pensioni, nuk mund ta lënë zarfin rrugëve, nuk mund ta lënë votën për të cilën janë regjistruar të mbetet si një copë letre pa vlerë. Duhet të shkojnë e ta marrin me çdo kusht dhe ta dërgojnë në Tiranë. ka edhe disa ditë kohë, është e mundur, u bëj thirrje ta dërgojnë në Tiranë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje