Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me hetimet ndaj Call Center-ave mashtrues në Shqipëri, pas goditjes së fundit të një rrjeti nga autoritetet.
Në fjalën e tij, Braçe theksoi se ky aktivitet nuk është një fenomen i ri dhe ka qenë prej kohësh në vëmendje të institucioneve.
“Aktiviteti i Call Center-ave apo Forex këtu është aktivitet i hershëm. Pikërisht se ka qenë i tillë jam detyruar në Komisionin e Ekonomisë të kërkoj shpjegime nga autoritetet dhe mbi të gjitha nga AMF, autoriteti i ndalimit të pastrimit të parave dhe Policia e Shtetit.”, tha Braçe.
Ai bëri të ditur se ka kërkuar më herët një angazhim të koordinuar ndërinstitucional për të luftuar këtë fenomen.
“Kam kërkuar të zhvilloj një seancë të përbashkët përfshirë AMF, Tatimet, Policinë e Shtetit me sektorin e Krimit Kibernetik, për të goditur këtë fenomen në territorin e Shqipërisë.”, tha ai.
Sipas tij, përgjegjësia për këto aktivitete nuk është shtetërore, por individuale.
“E them me plot gojë se ky nuk është krim shtetëror, por i personave individualë që merren me këtë mashtrim të qytetarëve evropianë nga territori i Shqipërisë.”
Braçe kërkoi ndërhyrje më të fortë nga agjencitë ligjzbatuese, duke paralajmëruar për pasojat në reputacionin e vendit.
“Ajo që duhet kërkuar me forcë është që agjencitë ligjzbatuese të merren me këtë fenomen dhe ta godasin, sepse turpëron dhe shkatërron imazhin e Shqipërisë në raport me qytetarët e BE, që janë treguar bujarë që nga viti 1991 me këtë vend.”, tha deputeti.
Në fund, ai kritikoi edhe mënyrën e trajtimit publik të këtyre rasteve.
“Mënyra si tregohen ngjarjet këtu është edhe abuzive, histori e denjë për Hollivudin që ka bërë filma për këtë fenomen. Unë nuk kam ndërmend të merrem me filma. Në këtë sallë do merrem me faktet nga fillimi në fund.”, deklaroi Braçe.
Lini një Përgjigje