Të gjithë njëzëri, opozitarët kanë lëshuar thirrjet ‘Rama, jepe dorëheqjen!’.
Seanca plenare e kësaj të enjteje është shoqëruar me tensione dhe thirrje nga deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Teksa në foltoren e Kuvendit po fliste ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur të thërrasin njëzëri: “Rama, jep dorëheqjen!”, duke sjellë në sallën e Parlamentit sloganin që është dëgjuar edhe gjatë protestave të fundit të qytetarëve.
Thirrjet e opozitës u bënë në mungesë të kryeministrit Rama, ndërsa në sallë mbizotëroi një atmosferë e tensionuar.
Gjatë ndërhyrjes së tij, Manja ironizoi opozitën dhe e sfidoi atë të bashkohej hapur me protestuesit.
"Ju jeni opozita apo protesta? Nëse jeni opozita parlamentare, jeni opozita. Protesta është në shesh. Me sa kam dëgjuar, thonë larg partitë nga protesta. Ju rrini atje anash. Ky krahu këtej s’ka arsye të ulë kokën as sot, as mot, as sa do të ekzistojë Shqipëria! Ne kemi bërë kaq shumë punë të mira për Shqipërinë sa në 2013 ju as nuk i bëtë dot.", tha Manja.
“Rama jepe dorëheqjen”, këndojnë deputetët.
Ulsi Manja: Ju bërtisni sa të doni, të kërkoni edhe dorëheqjen e Ramës, pa diskutim... unë kam minutat e mia, ju mund të vazhdoni këngën. Kur të mbaroni këngën... meqë ju kënduat një këngë që këndohet në protestë, unë po ju them një gjë: kjo protestë qytetare sigurisht që është shumë e bukur, por është normale në një demokraci të protestohet dhe të kërkohet dorëheqja e një kryeministri. Kjo protestë ka edhe një risi të bukur: kërkohet dorëheqja e liderit të opozitës, atij që zgjodhët në maj. Keni parë protestë që kur kërkon dorëheqjen e qeverisë, të kërkojë edhe të opozitës?
Deputetët e opozitës vijojnë me refrenin, kurse Manja mori situatën në dorë për të bërë dirigjentin.
Ministri shtoi gjithashtu se Edi Rama nuk do të largohet nga detyra dhe se do të vijojë të drejtojë qeverinë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
"1,2, 3, 4, ngrijeni zërin! 3, 2 është refren! Shqiptarë, ja ku e keni opozitën që keni votuar më 11 maj! Ramën do ta keni deri më 2029 kryeministër dhe me votën e shqiptarëve, do të jemi edhe një mandat tjetër!", tha Manja.
Ndërkohë, deputetët e opozitës vijuan akuzat ndaj qeverisë për mënyrën e qeverisjes, korrupsionin dhe situatën ekonomike në vend, duke e lidhur qëndrimin e tyre me kërkesat e protestuesve që prej ditësh po kërkojnë largimin e kryeministrit dhe qeverisë.
Pse nuk shkruani per nongratën?
vjedhja e protestes 2.0
Rama con kallauzin e vet Ferid Hoxha me dhan intervist per protesten ka gjet legenin e gjith perdorshem Ferid qe po shkon ku mundet me u duk pak si minister mendjemadh qe vdes me u mbur e me u duk si Skenderbeu nr 3