Teksa jemi në sezon veror dhe vëmendja ndaj politikës ka rënë, kryeministri Edi Rama ka tentuar të bëjë protagonistin sot. Ai është përfshirë në një debat me deputetin britanik Nigel Farage, pasi ky i fundit e sulmoi mbi “JO”-në që i tha kryeministrit Starmer për strehimin e refugjatvëe. Sipas Nigel Farage, 1 në 50 shqiptarë është i burgosur dhe kjo shifër nuk i pëlqeu Ramës, i cili dhe sfidoi. Por shifrat janë publikuar nga gazeta “The Telegraph”, e cila i është përgjigjur Ramës duke treguar se si i ka nxjerrë.
Artikulli i plotë
Kryeministri i Shqipërisë është zotuar se do të pranojë kthimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, pas një përplasjeje publike me Nigel Farage, lidhur me numrin e tyre në burgje.
Lideri i partisë “Reform UK” i kërkoi publikisht Edi Ramës që të marrë mbrapsht shqiptarët e dënuar në Britani, duke e akuzuar për hipokrizi pas komenteve të tij ku përshkruante Britaninë si një “vend të errët” pas largimit nga Bashkimi Evropian. Farage argumentoi se është hipokrite të përshkruash Britaninë në këtë mënyrë kur, sipas tij, një në 50 shqiptarë që jetojnë atje janë në burg.
Farage, i cili ka dalë në sondazhe si një nga favoritët për të qenë kryeministri i ardhshëm, i bëri thirrje Ramës të tregojë “vullnet të mirë” dhe t’i marrë të gjithë të dënuarit shqiptarë “që nesër”.
Rama, i njohur për shtatin e tij të lartë, reagoi në rrjetin social X duke thënë se nëse shifra e Farage është e saktë, atëherë ai do t’i marrë të gjithë të dënuarit mbrapsht. Por nëse është e pasaktë, do ta ftojë Farage në Shqipëri si mysafir nderi, me kushtin që të mos flasë më keq për vendin.
“Ooopsss... vetë zoti Nigel Farage më sfidoi publikisht për faktet!” shkroi Rama në një postim. “Çfarë nderi – për një ‘njeri gjigand’, siç më përshkroi ai (duke nënkuptuar natyrisht që jam nga një ‘vend i vogël’) – të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të papërsëritshëm të politikës së titujve në Britani. Ai tha, dhe citoj: ‘Po ju them, zoti Rama, e dinit që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Tregoni pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht që nesër, sepse kjo është hipokrizi.’”
Rama më tej e quajti këtë shifër si “të çmendur” dhe një shembull tipik të propagandës post-Brexit. Ai shtoi se shumë shqiptarë janë peng i një sistemi vizash të vjetëruar dhe të kufizuar, ndërsa sipas tij, shkalla e kriminalitetit tek shqiptarët është “jo më e lartë, dhe ndoshta më e ulët, se ajo e popullsisë britanike”.
Ai vijoi: “Le të sjellim të dy shifrat tona në tryezë. Nëse pretendimi yt për ‘një në 50’ del i saktë, atëherë unë personalisht do të angazhohem që t’i marr të gjithë mbrapsht. Kjo nuk është lojë titujsh, është një zotim publik. Por nëse kjo statistikë e frikshme rezulton të jetë vetëm ushqim për tabloidët, atëherë nuk pres ndjesë. Nuk ka dramë. Vetëm se ti do të vish në Shqipëri, si mysafiri im i nderit... Dhe e vetmja gjë që do të kërkoj prej teje është një zotim publik i thjeshtë, që ta japësh ndërsa shijon vendin tonë: herën tjetër që dikush flet keq për shqiptarët, ti do të jesh i pari që do t’i thuash, me stilin tënd teatral, që të ndalojë.”
Duke folur për “The Telegraph”, Farage tha se do ta pranojë sfidën. Do të sigurohemi që Edi Rama të mbajë fjalën
Shifra për të cilën foli Farage u publikua fillimisht nga “The Telegraph”, bazuar në të dhëna të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Zyrës Kombëtare të Statistikave në Britani. Ato tregojnë se në burgjet në Angli dhe Uells ka 10,435 të huaj dhe 76,866 britanikë. Shtetet me më pak se 20 persona të burgosur nuk u përfshinë për shkak të përmasës së vogël të kampionit.
Të dhënat u krahasuan me regjistrimin e popullsisë të vitit 2021, duke marrë në konsideratë shtetas të huaj që jetojnë në Britani, por që nuk kanë pasaportë britanike. Mund të ketë gabime të vogla për shkak se disa të huaj mund të kenë fituar shtetësinë, por të mos kenë kërkuar pasaportën.
Norma e burgosjes për shqiptarët rezulton të jetë 232.33 për 10,000 persona, ose afërsisht 1 në 50. Kjo u llogarit mbi bazën e 68,672 shqiptarëve të lindur jashtë Britanisë, por që jetojnë atje, ndërsa duke përjashtuar 15,860 që kanë pasaportë britanike, mbeten rreth 52,000 pa pasaportë. Me 1,227 shqiptarë në burg, kjo përkon me një përqindje prej 2%.
Përplasja nisi pasi Farage sulmoi Ramën, pas kritikave të këtij të fundit ndaj Britanisë pas Brexit. Rama kishte thënë se plani i Sir Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar jashtë Britanisë, në qendra në Evropë, tregonte se Britania post-Brexit ndodhet “në një situatë shumë të errët”. Ai shtoi se Britania “po kërkon vende për të hedhur emigrantët”, diçka që sipas tij do të ishte e paimagjinueshme dhjetë vjet më parë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Telegraph”
Lini një Përgjigje