Politike26 Shkurt 2024, 13:52

Falja e ‘hajdutëve me kollare’, PDIU paralajmëron bashkimin e votave me PS

Shkruar nga Pamfleti

Falja e ‘hajdutëve me kollare’, PDIU paralajmëron

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi ka paralajmëruar bashkimin e votave me PS për miratimin e ligjit për Amnistinë Penale.

Ai tha se kjo forcë politike është pro votimit për amnistinë penale por theksoi se nuk do të votojë për amnisti që kanë të bëjnë me çështje të GJKKO dhe SPAK.

Sipas Idrizit, amnistia duhet kryer pasi sistemi i burgjeve në vend është i mbipopulluar.

“Duhet që të theksoj faktin që ne në parlament kemi deputetë të Kuvendit, përfaqësues, parlament është vendi i uljes, negociatave, arritjes së një kompromisi. Edhe akti i amnistisë është hap klemece, është bërë çdo vit, për t’i dhënë mundësinë një kategorie të caktuar që të gëzojnë një falje. Kjo bëhet e rëndësishme me ngarkesën që ka sistemi ynë i burgjeve. Shqipëria i ka kapacitetet 105%, kemi numrin më të madh të të burgosurve në raport me popullsinë, në Europën Lindore.

Janë një barrë jo e lehtë edhe për buxhetin e shtetit. Një i burgosur, 1635 euro në muaj. Janë para të taksapaguesve shqiptare. Imagjinoni sa do të kurseheshin nëse do të dilnin 2 mijë prej tyre. Është akt klemence, kini parasysh që legjslacioni shqiptar është shumë i ashpër. Parlamentet kanë bërë amnisti. Ne jemi për ta votuar amnsitinë në çdo rast, siç kemi bërë çdo vit. Ne shkojmë rëndom çdo të enjte në parlament, në fund na thonë, u prish kompromisi në fund fare.

Ajo që më vjen të them, ne nuk ka konsultuar kush për çfarë nuk po bien dakord këto dy palët. Ne do të jemi kundra nëse bëhet fjalë për aminsiti që kanë të bëjnë me GJKKO dhe SPAK. Bërja e diskutimeve edhe për amnistinë, e parë me sytë e interesit partiak, tregon që ne në parlament kemi humbur kuptimin se përse ekziston parlamenti. Për çdo ligj, duhet të diskutojmë, të kemi konsensus, që produkti të jetë më i mirë.

Parlamenti voton ligje, parlamenti e ka detyrim e arsyen për ta gjetur këtë kompromis. Nuk di t’ju them se për çfarë neni këta nuk bien dakord, duke u treguar jo serioz edhe me amnistinë, imagjinoni me të tjerat”, tha Idrizi për "Abc News".

Kujtojmë se, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 77 vota pro marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët me PDIU që bashkoi votat me PS-në.

Nga ana tjetër, lëvizja e PDIU për të bashkuar votat me mazhorancën për të miratimin e marrëveshjes së  emigrantëve me Italinë shkaktoi diskutime dhe debate.

Në një prononcim pas seancës plenare, Mesila Doda, si pjesë e PDIU-së “justifikoi” vendimin e forcës politike që ajo përfaqëson për të bashkuar votat me mazhorancën, që i dha dritën jeshile ratifikimit të marrëveshjes mes Italisë e Shqipërisë për emigrantët.

Ndërkohë, qeveria u tërhoq nga Amnistia Penale në mungesë të dakordësisë me opozitën. Bardhi e Basha dolën hapur kundër këtij propozimi dhe kushtëzuan votën e tyre në Parlament.

Nga amnistia penale përfitojnë rreth 700 persona të dënuar dhe 2500 të tjerë në shërbim prove. Kategoria që përfitojnë ulje shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar.