
24.876 dibranë zgjodhën tu drejtohen kutive të votimit në 14 maj për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të bashkisë.
Garën për Dibrën e fitoi Rahim Spahiu, kandidati i Partisë Socialiste, njëherazi kryetari aktual i bashkisë , i mandatuar në zgjedhjet e pjesshme në 6 mars 2022Ai mori 67,69% të votave në zgjedhjet e së dielës, ndërsa kishte përballë avokatin Ismail Uka kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” i cili mori 27,11% të votave dhe kandidatin e Partisë Demokratike ,Naim Gazidede i cili mori 5,21% të votave.
Në 14 maj dibranët votuan për herë të 5 në kuadrin kohor të 8 viteve, pasi ndryshe nga 60 bashkitë e tjera, Dibra ka zhvilluar zgjedhje vendore çdo dy vjet duke ndryshuar 6 kryetarë, 4 të zgjedhur dhe 2 të komanduar. Të gjithë përfaqësues të Partisë socialiste, por asnjëri nuk arriti të përfundojë një mandat të plotë për arsye të ndryshme.
Në vitin 2015, Shukri Xhelili, kandidati i së majtës u zgjodh kryetar i bashkisë së Dibrës me një diferencë prej 500 votash kundrejt kandidatit të së djathtës, Ilir Krosit I cili hyri në këto zgjedhje për një mandat të 4-të.
Xhelili u shkarkua një vit më vonë, pas akuzave për abuzim me detyrën në kërkim të favoreve seksuale për një vend pune, për të cilën dhe u dënua me 2,8 vite burg.
Në zgjedhjet e parakohshme që pasuan në vitin 2016 socialistët garuan me kirurgun Muharrem Rama, i cili fitoi bindshëm me një diferencë prej 4,232 votash ndaj Shrefedin Shehut, kandidatit të Partisë Demokratike .
Një sërë përgjimesh të publikuara fillimisht në vitin 2019, treguan se një sërë funksionarësh shtetërore dhe persona të tjerë pranë socialistëve kishin manipuluar votat në zgjedhjet e shtatorit 2016 në Dibër.
Hetimet e prokurorisë dolën po ashtu në të njëjtin përfundim edhe pse shumica e personave të akuzuar për blerje vote nuk u dërguan në gjykatë, për shkak të afateve.
Dosja 184 kaloi nga Prokuroria e Dibrës në SPAK, për tu rikthyer sërish për gjykim në Dibër, proces I cili ende nuk është mbyllur.
Skandali i blerjes së votave u përdor nga opozita si motiv për të braktisur mandatet në Kuvend dhe bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Në këto zgjedhje e majta solli si kandidat Dionis Imeraj, e përballë tij ishte Shkëlzen Qoka, kandidati i dalë nga Bindja Demokratike. Imeraj mori si kandidat i vetëm në zgjedhje e 2019, gati 13,000 vota.
Por edhe Dionis imeraj nuk e përfundoi mandatin e tij, pasi ai dha dorëheqje nga kjo detyrë. Shkak u bë përfshirja e Imerajt në garën për deputet të qarkut Dibër më 25 prill2021 ku ish kryebashkiaku nuk arriti të sigurojë një ulëse në kuvend.
Në mars të 2022 , Dibranëve do t’iu duhet të zgjedhin një tjetër kryetar për qytetin e tyre.
Kandidatët për postin e kryetarit të bashkisë në këto zgjedhje janë katër.
I pari në fletën e votimit është Premtim Kryemadhi, një arsimtar që kandidon nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë” i krijuar nga LSI, dhe që mbështetet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe një fraksion i Partisë Demokratike. Luan Haka është në garë si kandidat i Partisë Demokratike. Nga koalicioni i majtë i Socialistëve në pushtet në garë për kryetar është Rahim Spahiu. Dritan Torba, një 26 vjecar hyri në këtë garë si kandidat i Partisë Lëvizja e Re.
Kalimi në votime cdo dy vjet duke se ka lodhur dibranët, e kjo shihet nga pjesmarrja gjithmonë në rënie nga viti 2015 deri në 2023.
Në 2023, në lista figurojnë 56.726 perosna por Vetëm 24.876 votuan ndërkohë që në zgjedhjet e 2015 u bënë pjesë e votimeve 31.956 persona nga 56.322 që ishin në lista. /EuroNews
Lini një Përgjigje