Politike12 Prill 2023, 07:58

Dita e dytë e vizitës së në Tiranë! Escobar takohet sot me Alibeajn dhe Metën, shmang Berishën

Shkruar nga Pamfleti
Dita e dytë e vizitës së në Tiranë! Escobar takohet sot
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot do të vijojë ditën e dytë të vizitës në Tiranë.

Pas takimit me kreun e shtetit Bajram Begaj dhe kreun e qeverisë Edi Rama, Esocobar do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e opozitës.

Fokusi i këtyre takimeve janë padyshim zgjedhjet e 14 majit, vizitë kjo që vjen pak para nisjes së fushatës për 14 majin.

Escobar do ta nisë ditën e sotme me një takim në orën 10:30 me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeajn, ku të pranishëm në këtë takim do të jenë edhe deputetët Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi.

Në këto takime, ashtu siç pritej, do shmangë Sali Berishën, i shpallur Non Grata nga SHBA.

Më pas në orën 11:30, Escobar do të takohet me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. Në këto vizita, njëjtë si një ditë më parë, Escobar pritet të shoqërohet nga ambasadorja Yuri Kim.

Pas takimeve ditën e djeshme me Ramën dhe Begaj, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme bashkiake në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë.

Escobar duke marrë shkas nga disa kandidatë për zgjedhjet e 14 majit, të cilët kanë rezultuar me precedentë penal në të shkuarën e tyre, ka shtuar presionin ndaj partive politike, duke ju përsëritur sërish porosinë e DASH, për të kandiduar figura të pastra dhe jo persona të inkriminuar.

Kujtojmë se i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, fillimisht zhvilloi një takim me kryeministrin e vendit, Edi Rama i cili zgjati vetëm 20 minuta.

 

gabriel escobar alibeaj meta