TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Mars 2026, 16:51

“Do fitojmë!”, Rama për zgjedhjet 2027: Opozita merret me ne, ne marrim pushtetin

Shkruar nga Pamfleti
“Do fitojmë!”, Rama për zgjedhjet 2027: Opozita merret me
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka sinjalizuar nisjen e hershme të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke u shprehur i bindur për një tjetë fitore të Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së në Njësinë 7 në Tiranë, Rama deklaroi se procesi organizativ ka nisur tashmë në të gjithë vendin.

“Kemi nisur një proces gjithëpërfshirës dhe të shtrirë në krejt territorin e Shqipërisë, për të bërë një rrugë e dy punë”, tha ai, duke shtuar se paralelisht po zhvillohen zgjedhje brenda partisë dhe bashkëbisedime me anëtarët dhe mbështetësit.

Sipas tij, fokusi nuk është vetëm organizimi i brendshëm, por edhe komunikimi me qytetarët. “Është me vend që të bëjmë një proces bashkëbisedimi në radhë të parë brenda nesh, dhe paralelisht të krijojmë kushtet që të bashkëbisedojmë me mbështetësit tanë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se PS po vepron më herët se kundërshtarët politikë, duke e konsideruar këtë një avantazh në garë.

“Jemi tamam në kohë për të filluar që të mbjellim rezultatin që do të korrim në zgjedhjet e ardhshme vendore… Jam i bindur që do jemi fitues. Kur të tjerët merren me ne, ne merremi me veten”, deklaroi ai.

Rama tha gjithashtu se ky proces do të shtrihet në të gjithë vendin, duke nisur nga Tirana, ndërsa theksoi rëndësinë e diskutimeve për çështje që, sipas tij, shpesh merren si të mirëqena.

Zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen pas rreth 14–15 muajsh, ndërsa partitë politike duket se kanë nisur pozicionimet e para për garën e ardhshme.

edi rama partia socialiste zgjedhje

Lini një Përgjigje