
Argita dhe Jamarbër Malltezi, vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha kanë kërkuar lirimin nga sekuestroja të pasurive të tyre, të bllokuara për llogari të dosjes "Partizani".
Kërkesa penale me objekt "kthim sendi të sekuestruar" do të shqyrtohet nga trupa gjykuese e dosjes "Partizani", Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Pas arrestimit të Malltezit, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi në masën e sekuestros gati 25 pasuri, nga të cilat, 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.
Në muajin mars, Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi pas shqyrtimit të ankimimit, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.
Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan.
Më herët, Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO la të pandryshuar vendimin.
Përveç apartamenteve dhe një vile, janë sekuestruar ndër të tjera dhe tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.
Lini një Përgjigje