
Kryeministri Edi Rama ka vazhduar sërish avazin e tij, duke trumbetuar se reforma në drejtësi erdhi vetëm falë vizionit dhe vendosmërisë së PS-së dhe jo për shkak të ndërkombëtarëve.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, Rama tha se ishte PS-ja ajo që vendosi të hiqte dorë nga sistemi i drejtësisë dhe ta linte atë të shkëputej nga politika. Sipas tij ishte kjo vendosmëri e PS-së që më pas me ndihmën e ndërkombëtareve arriti këtë rezultat që kemi sot.
Më tej ai shtoi se pavarësisht akuzave që vijnë nga opozita, drejtësia e re nuk është e kapur nga qeveria dhe se pretendimet e tyre janë qesharake.
“Dhe si e hapëm ne rrugën e drejtësisë, e hapëm duke bërë reformën në drejtësi. Ne e hapëm rrugën duke pranuar të bëjmë diçka që asnjë pushtet s’e ka bërë dot për një mijë e një arsye nga viti 1912 duke pranuar që të heqim duart e pushtetit ekzekutiv, legjislativ nga drejtësia. Duke pranuar që në Shqipëri të ketë një trup të pavarur që ushtron detyrat dhe të drejtat e saj kushtetuese për të garantuar që të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Po të shikosh gjykimin e Strasburgut, është e njëjta gjë që kemi thënë ne se shyqyr që gjykata është Strasburg që të thonë se edhe atë e ka kapur Edi Rama. E vërteta është që ne s’kemi kapur asgjë, thjesht dhe vetëm ne qëndrojmë në anën parimore të kësaj historie dhe i rrimë drejt atyre që kemi marrë përsipër. Kemi marrë përsipër të bëjmë të mundur që në Shqipëri të lindë një drejtësi që nuk sheh majtas djathtas por që i trajtojnë të gjithë njësoj dhe që godet pavarësisht se sa lart je, është kjo që po ndodh. Më vjen për të qeshur kur thonë shyqyr që erdhi SPAK se po të ishte për këta janë të tërë njësoj. Po të ishim ne të tërë njësoj SPAK nuk vinte kurrë sepse SPAK dhe të gjithë forcën e re, e ka bërë vullneti i PS për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje