Politike11 Dhjetor 2023, 09:28

Sulmet e Berishës ndaj SPAK, paralajmëron diplomati i SHBA: Sanksionet ‘non grata’ për të korruptuarit do të vazhdojnë!

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet e Berishës ndaj SPAK, paralajmëron diplomati i SHBA: Sanksionet
David Wisner

I ngarkuari me Punë i Ambasades së SHBA në Tiranë, David Wisner ka dhënë mesazhe të qarta për mbështetje ndaj SPAK dhe hetimeve për zyrtaret e lartë të të gjitha krahëve politik.

Teksa paralajmëroi të tjerë ‘non grata’, diplomati amerikan tha në një intervistë për ‘Panoramën’ se SPAK jep rezultate.

Wisner zgjodhi të mos u përgjigjej akuzave të Sali Berishës, duke e quajtur të sanksionuar nga për korrupsion madhor të SHBA.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Para pak javësh, një grup prokurorësh të SPAK ishin në Departamentin e Shtetit, FBI, etj.. Çfarë prisni më tepër dhe për çfarë i inkurajoni ju prokurorët e SPAK në këtë fazë?

I ngarkuari me punë Wisner: Shqipëria është një aleate në NATO, një mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara. Duam të mbështesim çdo përpjekje për të çuar përpara integrimin në BE të Shqipërisë dhe trajektoren e saj trans-atlantike. Kjo përfshin mbështetjen tonë për reformën në drejtësi. Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera. Vizita e SPAK në Uashington, DC, muajin e kaluar demonstroi se sa të rëndësishme janë përpjekjet antikorrupsion të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara. Në takimet e nivelit të lartë me Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit, FBI dhe DEA, vizita i dha mundësi zyrtarëve të lartë të SPAK që të vendosnin dhe forconin partneritete me vlerë në institucionet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit të SHBA. Ndonëse SPAK është ende i ri si institucion, ne duam që të vazhdojë trajektoren për lart dhe presim që anëtarët e tij të ruajnë nivelin e integritetit që të gjithë shqiptarët duan të shohin tek ata.

Pyetje: Z. i ngarkuar me punë, ka mjaft reagime ndaj hetimeve të SPAK ndaj disa ish-ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë, por edhe ish-kryeministrit Berisha dhe dhëndrit të tij. A mund të garantoni ju opinionin publik në Shqipëri se SPAK është i pavarur dhe jo i ndikuar nga pushteti, siç ka ndodhur në të kaluarën?

I ngarkuari me punë Wisner: Ne besojmë se SPAK po qëndron në lartësinë e atij mandati. Ka një shprehje në Shtetet e Bashkuara, që ‘drejtësia është e verbër’. I gjithë qëllimi për ngritjen e SPAK ishte të krijohet një institucion i pavarur për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshi në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo është gjëja më me rëndësi që ai të jetë vërtet i suksesshëm dhe i efektshëm. Kemi parë të hetohen, t’u ngrihen padi dhe të dënohen zyrtarë të niveleve të larta nga i gjithë spektri politik.

Pyetje: U referohem deklaratave politike të z. Berisha, i cili e konsideron SPAK si “kamxhikun e Ramës”, ndërsa Kryeministri Rama nga ana e tij e konsideron reformën në drejtësi dhe SPAK-un produkt të partisë së tij për shtetbërje. Cila është përgjigja juaj për këto pikëpamje të palëve politike në Shqipëri?

I ngarkuari me punë Wisner: Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Siç e vërejta, kemi investuar fort në suksesin e reformave në drejtësi të Shqipërisë, përfshi SPAK, përmes ekspertizës, financimit dhe mbështetjes sonë politike. Jemi krenarë të jemi partnerë me Shqipërinë. Çdo shqiptar meriton të jetojë në një vend ku secili është i barabartë përpara ligjit, ku shteti ligjor funksionon dhe ku secili ka një mundësi të barabartë për begati. Jo vetëm sepse e kërkon e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë, por sepse është gjëja e duhur.

Pyetje: A besoni se SPAK-u do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe si do ta mbështesni më tej këtë strukturë të posaçme prokurorësh, që të jetë e pavarur dhe të rrisë më tej besueshmërinë ndaj publikut shqiptar?

I ngarkuari me Punë Wisner: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë dhe rrugës së saj euro-atlantike. Ambasadorja Kim e kishte zakon të thoshte se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur, por po e shohim të japë rezultate. Vazhdon të ketë të drejtë. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët tanë do të vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, përfshi mbështetjen tonë për SPAK-un.

Përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë dhe të Shtetit, si dhe kolegët tanë nga FBI dhe DEA do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë. Mendoj se ia vlen të vihet në dukje se në gjashtë vitet e kaluara, Shtetet e Bashkuara kanë investuar mbi 27.5 milionë dollarë në programet për ligjzbatimin dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.

Pyetje: Sekretari Blinken ka shpallur “non grata” 4 politikanë dhe ish-funksionarë shqiptarë në zbatim të Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Biden për sanksione ndaj të korruptuarve në Ballkanin Perëndimor. A do të vazhdojnë këto sanksione ndaj individëve të tjerë të korruptuar në Shqipëri?

I ngarkuari me punë Wisner: Ndonëse nuk mund të tregojmë paraprakisht sanksionet tona, Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të veprojnë kur aktorë të korruptuar kërkojnë të mbushin xhepat e tyre, t’u shërbejnë interesave të tyre, e të përfitojnë nga korrupsioni në kurriz të qytetarëve të zakonshëm. Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv në qershor 2021 duke deklaruar se kushdo që kërcënon paqen, sigurinë, stabilitetin, ose integritetin territorial të ndonjë hapësire në Ballkanin Perëndimor do t’u nënshtrohej sanksioneve të SHBA. Shtëpia e Bardhë e ka theksuar në mënyrë të përsëritur që korrupsioni është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, partnerët dhe aleatët tanë. Korrupsioni pengon rritjen ekonomike, i lehtëson gjërat krimit të organizuar dhe minon demokracinë. Kemi parë sanksione të SHBA në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në nëntor, disa individë dhe ente u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit i SHBA për korrupsion dhe për mundësimin e ndikimit dashakeq në rajon.

shba spak sanksione