Protestuesit i përgjigjen Ramës: Këto nuk janë kërkesat e një njeriu, por të të gjithëve...
Në ditën e 24-t të protestës qytetare, pjesëmarrësit ritheksuan se kërkesat e lexuara një ditë më parë nuk i përkasin një individi, por përfaqësojnë qëndrimin e të gjithë protestuesve
Protesta qytetare para Kryeministrisë ka hyrë sot në ditën e saj të 24-t, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë zgjedhur të ritheksojnë publikisht kërkesat e tyre, pas debatit të krijuar gjatë ditëve të fundit rreth Dritan Goxhajt, i cili lexoi deklaratën e protestës.
Në nisje të tubimit, protestuesit deklaruan se kërkesat e shpallura nuk janë qëndrime personale të një individi, por përfaqësojnë vullnetin e të gjithë atyre që prej më shumë se tre javësh po protestojnë në qendër të Tiranës.
Madje, gjatë fjalës së mbajtur para turmës, u theksua se sulmet ndaj personave që kanë lexuar deklaratën nuk ndryshojnë përmbajtjen e saj dhe nuk zbehin arsyet pse qytetarët vijojnë të dalin çdo ditë në shesh.
“Për të gjithë njerëzit, ndërkohë dhe kryeministrin, që u mor personalisht me disa prej nesh, po e bëjmë të udhës që ta lexojmë çdo ditë dhe t’ia kujtojmë atij pse jemi për të 24-tën ditë në shesh”, u deklarua para protestuesve.
Më pas u lexuan sërish kërkesat kryesore të protestës, të cilat nisën me kërkesën për largimin e qeverisë aktuale.
Teksti i plotë i deklaratës së lexuar në protestë
Për të gjithë njerëzit, ndërkohë dhe kryeministrin, që u mor personalisht me disa prej nesh, po e bëjmë të udhës që ta lexojmë çdo ditë dhe t'ia kujtojmë atij pse jemi për të 24-tën ditë në shesh.
Kjo deklaratë publike sqaron edhe një herë protestuesit, gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata që janë këtu fizikisht, e ata që janë larg nesh. Por ne e dimë se ata na mbështesin me zemër dhe mendje. Se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
Një. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe gjithë qeverisë!
Dy. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jo partiake, për jo më pak se 12 muaj!
Sigurisht që kërkojmë edhe ndryshime kushtetuese, si dhe miratimin e tyre me referendum.
Këto ndryshime kushtetuese përfshijnë:
-Ndryshimin e kodit zgjedhor që ka marrë peng vendin prej vitit 2008!
-Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike, sepse përmes këtij ligji paratë e krimit dhe drogës financojnë partitë politike dhe na mbajnë peng neve!
-Kufizimin e ushtrimit të detyrës për kryeministrin; asnjë kryeministër nuk mund të mbajë më shumë se dy mandate në pushtet!
Sigurisht, paralelisht me këto, nuk harrojmë kërkesat që janë këtu prej fillimit. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë:
-Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura!
-Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore!
-Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si paketa e anti-shpifjes!
-Dhe shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor të investitorit strategjik që na ka marrë të gjitha tokat!
Lini një Përgjigje