Po pse mungoi Edi Rama? Nuk ka pasur ftesë, apo e ka shmangur?
Ndërsa sulmon Lali Erin që shpërndan kronika sikur punon, e në fakt ndodhet jashtë shtetit, këtë po e bën vazhdimisht edhe Edi Rama.
Prej kohësh, shpërndan në rrjete sociale kronika mbi takime e biseda, ku duket se brenda ditës ka qenë në disa vende, gjë që praktikisht është e pamundur.
Kështu edhe fundjavën që shkoi, ndërsa ka publikuar podkastin me tre pronarë restorantesh, Rama ka shpërndarë me breshëri disa takime në fshatra të vegjël arbëresh të Kalabrisë, ku kishte marrë një suitë të madhe zyrtarësh, sëbashku me familjen e tij. Një vizitë paksa e çuditshme, po të kesh parasysh nivelin e ulët politik, megjithëse ka ngarkesë të rëndësishme simbolike edhe emocionale. Por në përgjithësi, Rama nuk se e ka çarë kokën për gjëra të tilla, ku në raste qokash çon zyrtarë të nivelit të ulët, apo instrukton ambasadat të çojnë presidentin e Republikës.
E, kjo çudi, shtohet edhe më shumë kur vëren se Edi Rama ishte i munguari i madh në ceremoninë e betimit për mandatin e tretë të Rexhep Taip Erdoganit, ku merrnin pjesë një numër i madh zyrtarësh të huaj.
Sipas televizionit shtetëror turk, ishin mbi 80 zyrtarë, kryesisht nga shtete të Azisë e Lindjes së Mesme.
Mungesa e Ramës ra fort në sy, sa u pikas edhe nga “xhemati polik” i Erdoganit në Shqipëri, të cilit nuk i shpëton gjë, ngaqë rrijnë tërë sy e veshë tek mediat turke.
Edi Rama ishte i vetmi kryemistër i botës në Perëndim të Turqisë, i cili publikisht me video u bëri thirrje qytetarëve turq të votojnë për Erdoganin. Mesazh që siç mësohet i ka shkaktuar jo pak kosto Ramës, pasi ja kanë tërhequr veshin nga Uashingtoni e Brukseli.
Ndërkaq, pikërisht ditën kur duhet të merrte pjesë në Pallatin Presidencial të Ankarasë, ai është shmangur, duke e justifikuar me një vizitë në disa komuna të vogla të Kalabrisë. Vizitë, që nëse do të duhej të kryhej me se s’bën, edhe mund të shtyhej për 24 orë, apo edhe dy ditë, pasi nuk kishte lidhje me aktualitetin.
Duhet thënë, se nga Ballkani, e vetmja zyrtare e lartë që mori pjesë në betimin e sulltanit të Ankarasë ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Po pse mungoi Edi Rama?
Nuk ka pasur ftesë, apo e ka shmangur?
Nga Tirana zyrtare nuk ka pasur asnjë njoftim për këtë, siç edhe nga ambasada turke në Tiranë. Gjasat janë që të ketë ndodhur diçka, pasi në mos Rama, të paktën Bajram Begaj, do të duhet të ishte, duke ju referuar precedentit të Vjosës. E këtu, duket se kemi të bëjmë me një sinjal të qartë politik. Hyrja e Tiranës në komunitetin politik të BE-së, si një strukturë e ngritur para një viti e që drejtohet nga Emanuel Macron, e detyron që në politikën e jashtme të marrin vendime e qëndrime që janë unike. E nga BE nuk ishte askush në betimin e sulltanit. Por mund të jetë edhe tjetra, që tani pas fitores, Erdogan do të japë një mesazh të fortë ndaj Tiranës, për mos veprimin ndaj krerëve të Komunitetit Musliman Shqiptar, që ai ka kërkuar t’i largojnë. Pikërisht kjo ka mbajtur pezull edhe inaugurimin e xhamisë- katedrale të Namazgjasë, e cila është ndërtuar me paratë e qeverisë turke.
Njerëzit e Erdogan në Tiranë, në fundin e fushatës në Turqi, “çuditërisht” nuk u morën me shprehjen e dashurisë për Reis-in, siç i thonë ata Erdoganit, por me sulme të forta ndaj KMSH-së.
“Xhemati politik” i Erdoganit në Tiranë përhapi foto të diplomimit të maturantëve të medresë, që dolën në foton e kujtimit pa mbulesë në kokë. E kështu nisën sulmin ndaj atyre që i quajnë “gylenistë”.
Sipas të gjitha indikacioneve, kanë qenë orientime nga divani i sulltanit. Gjithsesi kjo do të merret vesh në ditët e ardhshme.
Erdogan, që e njeh mirë Edi Ramën që është mjeshtër i furçave, duket se është ngopur me fjalë të ëmbla e kërkon vepra prej njeriut që ka investuar shumë për ta mbajtur në anën e tij…/Pamfleti
Lini një Përgjigje