
Ky paralajmërim i Xhafajt, shpreh qartë dëshirën e socialistëve për të ndërhyrë në strukturën dhe funksionimin e SPAK, duke u fshehur nën petkun e rekomandimeve të BE-së.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, deklaroi se puna e Komisionit që ai drejton për reformën në drejtësi do të vijojë pas zgjedhjeve.
Deputeti socialist tha gjatë një interviste televizive se puna e “Komisionit Xhafaj” për drejtësinë është në fazën e analizës, dhe se pas zgjedhjeve do të kalojnë në fazën përfundimtare atë të ndryshimeve strukturore dhe institucionale. Ky paralajmërim i Xhafajt, shpreh qartë dëshirën e socialistëve për të ndërhyrë në strukturën dhe funksionimin e SPAK, duke u fshehur nën petkun e rekomandimeve të BE-së.
“Ky komision ka kaluar në fazën e dytë të tij. Kemi të parën analizë me 700 faqe, i miratuar dhe hartuar si dokument zyrtar e parlamentar. Hartimi i Planit Kombëtar të Veprimit pas fazës së dytë, me gjetjet e kësaj analize me mbi 200 masa konkrete, bazuar në rekomandimet e BE-së, për të përshpejtuar procesin e negociatave si projekt i Shqipërisë në BE. Faza e tretë për ndryshimet strukturore apo institucionale. Për pjesën e drejtësisë është ende në fazën e analizës dhe planit të veprimit”, tha deputeti i PS në një intervistë për “Report Tv”.
Ndër të tjera Xhafaj u shpreh se komisioni që ai drejton ndaloi punimet për shkak të fushatës, elektorale. Nëse ky komision do të prodhonte diçka pozitive për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, vështirë se do të lihej jashtë diskursit politik të PS-së gjatë fushatës. Thënë ndryshe, Xhafaj pranoi se PS-ja është munduar të sfumojë akuzat e bëra për kapjen e SPAK-ut me anë të “Komisionit Posaçëm", duke e lënë atë në heshtje, për ta rikthyer më pas, kur PS-ja të sigurojnë mandatin e katërt.
“Fokusimi është te sundimi i ligjit dhe Parlamenti, ku ka hyrë në fazën finale, kurse pjesa për drejtësinë do më shumë kohë dhe e ndërpremë sepse s’donim ta lidhnim me fushatën elektorale, apo ta miksonim me të. Do ishte gjë e gabuar nga ana jonë nëse do e miksonim, ndaj e ndërpremë për ta nisur pasi të mbarojë fushata elektorale. Shqetësimi ynë është se si ta çojmë para reformën në drejtësi dhe të kapim standardet europiane. Sepse këtë e kërkon edhe BE-ja”, shpjegoi kreu i Komisionit të Posaçëm.
Më tej ai shtoi se argumenti se SPAK godet partitë politike sipas Xhafajt është i gabuar, pasi ky organ nuk sheh përkatësi politike, duke u munduar të minimizojë përgjegjësitë e PS-së për zyrtarët e burgosur në radhët e saj.
“SPAK nuk merret me partitë politike, nuk godet partitë politike, ai është institucion kushtetues, ku bashkë me GJKKO ka prioritet luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, krimit në nivele të larta zyrtarësh. Do ishte gabim nëse do veprohej apo shprehjet që përdoren se po goditet PS apo pse nuk goditet PD. Nuk ka fokus politik SPAK, kjo është e gabuar. SPAK ka prioritet krimin e nivelit të lartë zyrtar, pavarësisht se të kujt force i përkasin. SPAK është një model suksesi dhe eksperiencë suksesi. E kundërta do ishte e çuditshme”, vijoi Xhafaj.
Në fund Xhafaj shpjegoi edhe kërkesën që ka bërë SPAK për zgjatjen e mandatit të prokurorëve, për të cilën nuk pranoi të shprehej, pasi sipas tij, duheshin parë argumentet, duke lënë të dyshohet se kërkesa e prokurorëve të SPAK për rizgjedhje mund të mos pranohet.
“Është kërkuar nga prokurorët e SPAK, duhet t’i nënshtrohet gjykimit, do verifikohet. Nuk mund të shprehem sot, do ishte e gabuar, pa i parë argumentet dhe pa bërë një diskutim me propozuesit e projektit, si dhe aktorët dhe faktorët e tjerë për ndryshimet e nevojshme. Kjo është një nga 150 kërkesat që institucionet e drejtësisë kanë sjellë në Kuvend e që kërkojnë kohën e nevojshme për t’u shqyrtuar, diskutuar dhe vendosur apo marrë zgjidhje”, përfundoi Xhafaj.
Lini një Përgjigje