
Zhvillime të shumta duket se po ndodhin në kampin qeveritar dhe socialist. Rama ka mbledhur sot me urgjencë Asamblenë e PS, e cila po zhvillohet në terr të plotë, ndërkohë që ka pasur surpriza dhe në qeveri.
Para Asamblesë Rama mblodhi qeverinë dhe aty i komunikoi Delina Ibrahimajt se nuk do jetë më ministre Financash. Lajmi doli në media dhe madje u caktua dhe zëvendësja e saj. Por pas një ore ka pasur ndryshime. Rama si duket u pendua për shkarkimin e Ibrahimajt dhe e ka mohuar një vendim të tillë.
Para se të futej në Asamble ai u pyet nga gazetarët nëse ishte shkarkuar ministrja dhe u përgjigj: “Jo, Jo”. Më tej vetë Ibrahimaj tha se janë thashetheme dhe nuk ka asnjë dorëheqje apo shkarkim. “Nuk jam shkarkuar, nuk kam dhënë dorëheqje. Është koha e thashethemeve të verës. Nuk jam shkarkuar”.
Pyetja që lind është se çfarë e detyroi Ramën të ndryshojë vendim? Që ajo u shkarkuar nuk ka asnjë dilemë. Vetë mediat e tij e nxorën të parat si lajm. Më pas u konfirmua nga të gjithë. Po ashtu qeveria nuk e mohoi në asnjë moment, deri pak çaste para nisjes së Asamblesë.
Tjetër element i dyshimtë është se Asambleja po mbahet me dyer të mbyllur. Mësohet se takimi ka nisur dhe Rama po flet, por fjala e tij nuk transmetohet për mediat. Kjo lëvizje e tij dëshmon se ujërat janë trazuar dhe situata në kampin socialist nuk është aspak e qetë.
Lini një Përgjigje