
Kur kanë mbetur 2 javë nga zgjedhjet e 11 majit, ndërsa fushata ka hyrë në metrat e fundit, duket se kreu demokrat Sali Berisha që udhëheq edhe koalicionin ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ ka kërkuar mbështetjen e miqve të tij apo aleatëve ndërkombëtarë.
Në mbrëmjen e së premtes, në mitingun e zhvilluar në Kavajë, iu shfaqën së paku 5 politikanë të huaj, njëri prej tyre tashmë në pension, Elmar Brok, një mik i hershëm i kreut demokrat, që nuk nguroi ta vizitonte edhe kur ishte në arrest shtëpie me vendim të GJKKO-së.
Tjetri ishte Andres Pastrana, drejtues i organizatës së të rinjve të CDI, e cila mbron vlerat e demokracisë së krishterë.
Angelica Lang nga Suedia dhe Mary Ponte nga Venezuela ishin dy emrat e tjerë surprizë në mitingun e Kavajës.
Po kështu i pranishëm ishte edhe eurodeputeti Antonio Lopez- Isturiz White. Ky i fundit, ashtu si edhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë të Berishës u ngjitën në podium dhe dhanë mesazhet e tyre, natyrisht në mbështetje të PD dhe Berishës.
“Lamtumirë Rama, përshëndetje PD! Një mesazh për diasporën, tani për ju është një mundësi për të ndryshuar gjërat në Shqipëri”, tha eurodeputeti spanjoll, në një fjalim që u prit me entuziazëm nga mbështetësit në shesh.

Dhe referuar pikës më të fortë që Edi Rama po përdor në këtë fushatë duke kërkuar mandatin e 4 rradhazi qeverisës për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, eurodeputeti tha se Evropa nuk është një pasaportë. “Evropa është Shqipëria. Nuk është Edi Rama ai që vendos kush është evropian dhe kush jo. Janë shqiptarët që vendosin”, tha ai.
Ai paralajmëroi se në 11 maj, Europa do të jetë shumë vigjilente. “Këto zgjedhje nuk mund të manipulohen më. Do të ketë vëzhgues që do të ndjekin vlerat evropiane. Dhe kjo është ajo që doni ju. Ju doni vlerat evropiane. Transparencë. Demokraci. Jo sundimin e një personi, por të miliona shqiptarëve”, tha eurodeputeti.
Ndërkohë Pastanas, si President i Internacionales Demokristiane, duke marrë fjalën në miting tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq në rrugën e saj drejt Europës, e udhëhequr nga dy shtyllat e reformës dhe konsolidimit demokratik.
“Prej vitesh, Partia Demokratike ka qëndruar me vendosmëri përkrah popullit shqiptar, pa u tërhequr, edhe përballë strategjive dhe politikave më dëmtuese të Kryeministrit Edi Rama. Udhëheqja e Presidentit Sali Berisha është një dëshmi e kësaj mbështetjeje ndaj popullit shqiptar dhe e qëndrueshmërisë së Partisë Demokratike. Edhe pse është përballur me përndjekje politike të motivuar dhe ka paguar me lirinë e tij personale, Dr. Berisha vazhdon të mishërojë përkushtimin e palëkundur të PD-së për të ndërtuar një Shqipëri më të lirë dhe më të fortë, në zemër të Bashkimit Evropian.
Ndërsa shqiptarët përgatiten për zgjedhjet parlamentare të rëndësishme në majin që vjen, rreziku dhe mundësitë janë të mëdha. Institucionet demokratike përfitojnë kur qytetarët kanë mundësi të zgjedhin udhëheqës të përkushtuar ndaj transparencës, përfshirjes aktive të qytetarëve dhe respektit të vërtetë për dinjitetin individual. Partia Demokratike ka dëshmuar vazhdimisht kapacitetin e saj për të çuar Shqipërinë përpara në këto fusha, veçanërisht përmes theksit të saj tek pavarësia e gjyqësorit, mundësitë ekonomike dhe respekti për partneritetet euro-atlantike”, tha Pastanas.

Ai shtoi se në IDC-CDI, ne e shohim Partinë Demokratike jo vetëm si një aleate, por si një partnere, vizioni i së cilës për Shqipërinë përkon me idealet më të gjera të lirisë politike dhe fuqizimit ekonomik. Ne besojmë fort se partitë politike të forta janë themel i demokracive të shëndetshme.
“Sigurisht, zgjedhjet janë gjithashtu një festë e vetë procesit demokratik. Votuesit duhet të kenë besim të plotë se të gjitha zërat do të dëgjohen dhe se çdo shqiptar ka një rol në formësimin e drejtimit të vendit. Në këtë kontekst, inkurajoj Partinë Demokratike të vazhdojë të apelojë tek shpresat e përbashkëta të qytetarëve, të zgjerojë luftën kundër korrupsionit, të avokojë për reforma sociale dhe ekonomike dhe të vërë në plan të parë vendin e Shqipërisë në familjen evropiane”, tha ai.
Ndërkohë Elmar Brok, u shpreh se në Gjermani e dërguam në pension një qeveri socialiste, duke shtuar se sot është koha për të larguar Ramën edhe në Shqipëri.
“Ne patëm zgjedhjet në Gjermani, dhe më 6 maj, miku ynë i partisë, Friedrich Merz, do të bëhet Kancelar i Gjermanisë. Ne e dërguam në pension një qeveri socialiste, pas 33 vitesh. Pas 12 vitesh, tani edhe unë jam në pension. Socialistët janë gjithmonë të njëjtë. Ata dështojnë në të tashmen. Flasin për premtime për të ardhmen, të cilat nuk i kanë përmbushur kurrë, dhe gjithmonë justifikohen. Ky teatër duhet të marrë fund. Në fund të fundit, kemi nevojë për një politikë ku premtimet bëhen dhe vendimet merren që në fillim.

Unë besoj se tani jetojmë në një rend të ri botëror, dhe kemi nevojë për një Europë më të bashkuar, që ka mundësinë të jetë sovrane, në mënyrë që të gjitha vendet tona të mbijetojnë në unitet, demokraci dhe përparim. Prandaj, besoj fort se sot Europa ka nevojë për Shqipërinë, dhe Shqipëria ka nevojë për Europën, më shumë se kurrë.
Sot, në Shqipëri, vetëm një person ka frikë, dhe ky është Rama. Dhe fuqia e demokracisë do të fitojë më 11 maj.Prandaj, veproni sot. Veproni gjatë javës që vjen. Nuk kam frikë, sepse besoj se nga ky qytet do të vijë sërish një Shqipëri më e mirë dhe një Europë më e mirë”, tha Brok.
Angelica Lang nga Suedia tha se ndodhej në emër të demokristianëve të Suedisë.
“Politika është shumë e rëndësishme, sepse prek çdo kënd të jetës suaj të përditshme. Mënyra se si flasin udhëheqësit dhe se si ata veprojnë ka shumë rëndësi. Fjalët dhe veprimet e tyre perkin dhe ndikojnë në të gjithë shoqërinë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që me zgjuarsi, dhe jam shumë krenare që jam këtu me demokratët e Shqipërisë, dhe shpresoj që dhe ju do të bëni të njëjtën gjë pas dy javësh në ditën e zgjedhjeve”, tha ajo.

Mary Ponte nga Venezuela bëri thirrje që shqiptarët të luftojnë për vendin e tyre, për lirinë e demokracinë!
“Jam Mari Ponte, jam nga Venezuela, vendi prej të cilit jam larguar rreth 8 vite më parë dhe tani ndodhem në mërgim. Dua të flas në bazë të përvojës sime dhe t’ju tregoj ju se ne kemi 26 vite në një regjim, i cili erdhi me anë të zgjedhjeve të manipuluara për të qendruar në pushtet.

Duke shkaktuar frikë tek ata qytetarë, të cilët druajnë të votojnë, për shkak të pasojave që mund marrin kundrejt tyre, apo drejt familjeve të tyre.
Ne jemi 9 milionë shtetas venezuelianë jashtë shtetit tonë të shpërndarë kudo në botë, sepse ne nuk mund të qendrojmë në vendin tonë”, tha ajo.
Lini një Përgjigje