TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Shtator 2025, 20:58

Gara për kreun e Bashkisë, Agron Duka tregon preferencën e tij: Mund të tërheqë votën e PD

Shkruar nga Pamfleti

Gara për kreun e Bashkisë, Agron Duka tregon preferencën e tij:

Partia Demokratike ende nuk ka nxjerrë një emër për garën për kreun e ri të Bashkisë Tiranë.

Pavarësisht se ditën e shtunë, PD-ja nisi negociatat me forcat opozitare për një kandidat të mundshëm, e vetmja gjë që duket se është rënë dakord është mundësia për të vënë dikë nga shoqëria civile.

Agron Duka, kreu i PAA-së pohoi se një figurë jo politike, mund ta bëjë betejën më të fortë për Bashkinë e Tiranës dhe të tërheqë më shumë vota të qytetarëve.

Pavarësisht mendimit për një emër nga shoqëria civile, Duka sqaron se për këtë garë nuk janë përjashtuar figurat politike.

“Parimisht mendohet që të gjendet një kandidaturë e cila bashkon gjithë forcat opozitare, e mund të jetë nga shoqëria civile. Kjo nuk do të thotë se përjashtohen emrat politike. Por, një kandidaturë përbashkuese, kështu mund të kemi një mundësi për të pasur një betejë të fortë dhe për t’u afruar në numra”, tha ai.

Por përveçse takimit zyrtar të bërë ditën e shtunë, Duka shprehet se ka zhvilluar një bisedë jo formale me Adriatik Lapajn, në një lokal, ku i pranishëm ka qenë dhe Fatmir Mediu. Ai tha se ekziston dakordësia për një figurë jashtë rendit politik.

“Nuk ka logjikë tjetër, përveçse duhet të bashkohet opozita. Si mund të bashkohet ndryshe? Me një figurë që parapëlqehet nga gjithë forcat opozitare. Për shembull, përveç atij takimi, kemi pirë dhe një kafe me Lapajn. Me Dash Shehajn kam komunikuar dje. Ishim unë e Mediu (në kafe me Lapajn). Nuk thonë jo, por thonë se ka një figurë që mund të na bashkojë, e të jetë, parimisht, mbi forcat politike, natyrisht mund të dalim ta përkrahim”, u shpreh ai.

Cili mund të jetë një emër i përshtatshëm për Dukën? Sipas tij, mund të ishte Gjergj Bojaxhi.

“Një i tillë mund të ishte Gjergj Bojaxhi. Mbase, një figurë e tillë, jo e dakordësuar plotësisht, 100%, qoftë me PD, etj, por gjithsesi me profil të djathtë”, tha ai.

Duka shton se për shkak të parimeve të tij të djathta, Bojaxhi, mund të tërheqë edhe votat e Partisë Demokratike, edhe atë shtresën gri.

“Më pëlqen ky, se ka një profil, është ajo shprehja anti-establishment, si natyrë mund të tërheqë dhe shtresën gri. Nuk është 100% PD, por mund të tërheqë votën e PD, se ai djathtas ka qenë”, u shpreh Duka për “Tv Klan”.

Lini një Përgjigje