Politike26 Korrik 2023, 13:10

Thirri Këshillin Kombëtar për të anuluar zgjedhjet për kryetar, PD i bën gjyqin sonte Gaz Bardhit

Shkruar nga Pamfleti
Thirri Këshillin Kombëtar për të anuluar zgjedhjet për
Gazment Bardhi edhe Lulzim Basha

Komisionit i Apelimit, Integritetit dhe Etikës do të mblidhet ditën e sotme në orën 19:00, për të shqyrtuar kërkesën e Kryesisë së Partisë Demokratike, që kërkon shfuqizimin e vendimit të Gazment Bardhit për mbledhjen online të Këshillit Kombëtar.

Sektetari Ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa i grupit të Bashës i ka dërguar një shkresë Komisionit të Etikës së kësaj force politike ku i kërkon që të shfuqizohet vendimi i Sekretarit të Përgjithshë, Gazment Bardhi i cili thirri të enjten mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Komisioni i Etikës do të hetojë veprimet e Bardhit, që sipas PD-së janë në shelje të statutit. Kryetarja e Komisionit, Flutura Açka i ka dërguar një e-mail sekretarit të Përgjithshëm, Bardhit dhe i kërkon atij që të jetë i pranishëm në seancë.

Anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike që u mblodhën mbrëmjen e djeshme dolën me një deklaratë për shtyp me anë të së cilës mbajnë qëndrim për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur nga Gazment Bardhi.

Në mbledhjen e Kryesisë ishin të pranishëm 11 deputetë, sipas të cilëve, vendimi i Bardhit për të thirrur online mbledhjen e Këshillit Kombëtar është antistatutor.

Po ashtu, Kryesia njofton se ka vendosur që të dërgojë veprimet e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Etikës.

Njerëzit e Bashës, për të qenë më të qetë për rikthimin e tij në krye të PD, duket se kanë zhvilluar një mbledhje të Kryesisë në 18 Korrik, duke mbajtur atë të fshehtë, dhe i kanë hequr vulën Gazment Bardhit. Dokumenti mban 15 emra dhe 16 firma, pasi Oriola Pampuri duket se nga zelli e ka sigluar shkresën dy herë.

“Urdhërohet Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore, Z. Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së Partisë Demokratike”, thuhet në vendim.
Gazment Bardhi në një reagim për mediat, tha se vendimin e Kryesisë nuk e konsideron si të pavlefshëm, pasi mbajtja dhe arkivimi i vulës është i përcaktuar në statut.

“Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund t’iu vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë!”, shprehet ai.

Bardhi pohoi gjithashtu do të respektojë kërkesën e 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar, përcjellë përmes deputetëve, për të thirrur një mbledhje të këtij organi.

 

gazment bardhi pd