Kreu i Lëvizjes 'Shqipëria Bëhet', Adriatik Lapaj u paraqit mëngjesin e sotëm pranë ambientet të Gjykatës së Posaçme.
Lapaj është paraqitur për gjyqin që ka me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehajn, të cilin e ka paditur për shpifje.
Kujtojmë se më 1 prill, Lapaj dorëzoi në Prokurorinë e Posaçme një padi për shpifje ndaj kreut të Partisë Mundësia.
Përplasja mes dy figurave publike mori formë ligjore më 2 prill, kur Lapaj dorëzoi pranë SPAK një kallëzim penal për shpifje ndaj Shehajt, pas akuzave të rënda që ky i fundit kishte bërë në drejtim të tij.
Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e cila është aktualisht nën sekuestro nga SPAK, me dyshimet se shërbente për pastrimin e parave të grupit kriminal “Çopja”. Lapaj ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke sqaruar se pagesat ndaj tij lidhen me shërbime ligjore të kryera në cilësinë e avokatit të kompanisë.
Pavarësisht sqarimeve, Shehaj ka vijuar me akuzat, duke publikuar dokumente që sipas tij provojnë se Lapaj ka qenë i përfshirë në regjistrimin e një prone me vlerë miliona euro, të blerë nga e njëjta kompani në zonën bregdetare. Sipas pretendimeve të Shehajt, vendimi për regjistrimin e kësaj prone është marrë nga Alltun Çela, vjehrri i Lapajt, në kohën kur ky i fundit drejtonte Gjykatën e Sarandës.
Lini një Përgjigje