Flamujt e BE dhe mesazhi i Berlinit që shqetëson Berishën...

Protesta me simbolikë europiane dhe presioni nga Gjermania nxjerrin në pah krizën e opozitës dhe kërkesën për ndryshim në PD...
Protesta e fundit e opozitës, e shoqëruar me flamuj të Bashkimit Europian dhe Gjermanisë, u interpretua si një sinjal politik në drejtim të Berlinit dhe Brukselit. Paralelisht, misioni i deputetëve demokratë në Bundestag dhe qëndrimi i qartë i politikanëve gjermanë për nevojën e ndryshimit në Partinë Demokratike kanë shtuar presionin mbi Sali Berishën. Mes tensioneve të brendshme dhe sinjaleve ndërkombëtare, opozita përballet me një moment kritik që mund të përcaktojë drejtimin e saj të ardhshëm.
Dalja e përkrahësve të Sali Berishës në protestën e djeshme me flamujt e Bashkimit Europian dhe atë të Gjermanisë ishte e vetmja e re e të ashtuquajturës “protestë kombëtare”, që nuk arriti të rrëzojë Edi Ramën.
Menjëherë pas kësaj nisën komentet e zbuluesve të mesazheve të fshehta të doktorit, në përpjekjen e radhës për të lënë gjurmë në një fushë politike që është ndarë në dysh mes dinosaurëve. Edi Rama në mëngjes dhe Sali Berisha në darkë, ose anasjelltas, duke e zënë për gryke të gjithë hapësirën tjetër, për të ruajtur kështu monopolin e kastës së vjetër.
Megjithatë, kleçka e doktorit me flamurin gjerman nuk ishte e vetmja në procesionin molotovian të 22 marsit, sepse kishte edhe të reja të tjera. Në atë protestë munguan Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku, apo edhe deputetë të tjerë që ndodhen në Gjermani, në një mision lobimi në Bundestag.
Për ta, Edi Rama përmendi një titull të vjetër të Nasho Jorgaqit, pasi është i informuar mbi takimet dhe rezultatet që mund të arrijnë opozitarët në misionin e tyre.
Sali Berisha, i cili ka njerëzit e tij në delegacionin që drejton Gazment Bardhi, ka mësuar se thuajse në të gjitha takimet në Gjermani, politikanët atje kanë pasur një qëndrim pothuajse të njëjtë: Partia Demokratike duhet të bëjë një ndryshim të madh, në mënyrë që Shqipëria të ndryshojë drejtim sa më shpejt. Ky qëndrim, siç dinë ta shprehin gjermanët, ka qenë i qartë dhe pa asnjë ekuivok.
Këtë qëndrim Sali Berisha e provoi edhe gjatë darkës së liderëve të Partive Popullore Europiane në Bruksel, ku mori pjesë një pjesë e madhe e shtetarëve të vendeve të kontinentit.
Atje Sali Berishën, “rastësisht”, e kishin lënë të ulej së bashku me Petro Poroshenkon, ish-presidentin e Ukrainës, i cili, ashtu si Sali Berisha, është nën proces për korrupsion dhe i damkosur për të mos ardhur më në pushtet.

I frustruar nga ky qëndrim i pandryshuar i Europës, e posaçërisht i Gjermanisë, Sali Berisha ka thyer “besën” që u dha gjermanëve një muaj më parë për të braktisur mjetet e dhunshme.
Ai ka lëshuar sërish fanatikët me molotov për të çuar një mesazh direkt në Berlin dhe Bruksel, si për t’u thënë se ai është faktori kryesor në opozitën shqiptare dhe se pa Sali Berishën asnjë proces në opozitë nuk ka relevancë.
Gjë që, në realitet, është e vërtetë, pasi nuk është pak të mbash një numër mbështetësish pas vetes, duke e ditur se nuk do të fitosh asgjë politikisht.
Ndërkaq, duket se Sali Berisha ka edhe një frustrim tjetër të fshehtë, që po e mundon edhe më shumë. Ai ka frikë se europianët, përkatësisht gjermanët, jo vetëm po insistojnë në largimin e tij, por kanë bërë gati edhe pasardhësin.
Madje, sipas sinjaleve që ka marrë, ekzistojnë disa skenarë për “planin gjerman”, si brenda PD-së, ashtu edhe jashtë saj./Pamfleti
Lini një Përgjigje