Ish kryeministri, Sali Berisha në konferencën e përjavshme për mediat ka nisur sulmet personale ndaj kreut të komandaur të PD, Enkelejd Alibeajt.
Berisha tha se Alibeaj ka fshehur vëllain e tij, i cili sipas ish-kryeministrit ka qenë i arrestuar më herët në vende të Bashkimit Europian për rrëmbim me armë.
“Enkelejd Alibeaj ka fshehur vëllain e tij kriminal i cili është arrestuar për rrëmbim me armë në vende të Bashkimit Europian dhe sot nuk dihet ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë. Por ia kanë mbyllur dhe e mbajnë peng dhe e shëtisin. Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje.” – deklaroi Berisha.
Berisha ka sulmuar edhe Edi Ramën përveç Enkelejd Alibeajt, të cilët i akuzon se janë bashkëpunëtorë në krime që janë të fshehta.
“Kurrë ndonjëherë një shpërndarje më e pabarabartë nuk ka ekzistuar për të mirat materiale dhe pasuritë publike. Por mbi 80 përqind kërkojnë të largohen se përballen me një varfëri të frikshme në rritje. Dhe me mashtrime gjithnjë e më të mëdha. Përballë kësaj situate, Edi Rama lëshon për qëllime elektorale, premtim-mashtrimin për rrogën mesatare 900 euro. Cinik, ndaj atyre që nuk kanë. I pamëshirë.
Premton vetëm e vetëm që t’i mashtrojë, siç i mashtroi me të gjitha premtimet e mëparshme. Pra, ky është aspekti kryesor që i detyron shqiptarët të mos e shohin të ardhmen e tyre në këtë vend.
Pasiguria e plotë. Këtu vriten njerëzit në rrugë. Në krye të detyrës, në klube, nga bandat e lidhura me qeverisë sepse kurrë po të mos ishin të lidhur me qeverinë nuk do të guxonin të shkrehnin breshëri nga jashtë në një kafene që ishte plot njerëz. Nuk do të guxonin kurrë të shkrehnin breshëri ndaj një televizioni me dhjetëra punonjës brenda. Të gjithë kurajon e kanë te mbështetja e qeverisë dhe licenca publike vrisni njëri-tjetrin.”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje