
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Kukësit, Emri Vata ka reaguar pas humbjes së tij për kryebashkiak, ku fitoi rivali i tij socialist, Albert Halialj.
Vata falenderoi mbështetësin e tij dhe demokratët që i dhanë besimin, duke e votuar. Ai tha gjithashtu se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë edhe më shumë në favor të shkelësve.
Ai akuzoi se patronazhistët dhe ministrat kanë ofruar para dhe premtime për të fituar zgjedhjet.
"Të dashur miq, të dashur bashkëpunëtorë, të dashur demokratë, të dashur kuksianë! Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime.
Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës.
Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës. Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.
Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasur nevojë për dorëzanë.
Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes. Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira. Uroj që vota e çdo qytetari Kuksian, të mos shpërdorohet. Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje", shkruan ai.
Lini një Përgjigje