
Me atë fotografi zyrtare, Presidenti Joe Biden njohu Presidentin si të parin e Shqipërisë dhe si partner komunikimi ndërshtetëror, ndërsa kryeministrin Edi Rama nuk e përfillën as zyrtarët e mesëm të DASH që ishin në mbledhjen e OKB...
Kur Edi Rama u nis për në mbledhjen e OKB, pozoi duke ngjitur shkallët e çarterit në Rinas dhe duke zbritur shkallët e çarterit në Zyrih prej nga udhëtoi tranzit në New York, i shoqëruar nga gruaja, i biri 9 vjeç, 17 këshilltarë, 4 ekspertë të huaj, 3 ministra e disa shërbëtorë të fëmijës.
Me mandatin si kryeministër i Shqipërisë dhe me delirin si drejtues i Këshillit të Sigurimit, Edi Rama bëri gjithçka ai di e mund të bëjë, për të tërhequr dhe imponuar vëmendjen e shefave të Shtëpisë së Bardhë, të BE e shteteve lider të Europës, me qëllim që të ishte personazh i preferuar i tyre me takime e përqafime, fotografi e kafe konfidenciale.
Por në SHBA, Presidenti Bajram Begaj, me të cilin u bë humor për të shkak se futi në delegacion parukieren, doli më i fortë “Lideri Global” Edi Rama, i cili kishte me vete ministrin Jashtëm “yll diplomatik” (siç e quajti), si dhe këshilltarë, ekspertë të huaj e lobistë të specializuar për sigurimin e takimeve e fotografive të propogandës, të shtetarëve të vendeve të vogla si Shqipëria.
Presidenti Bajram Begaj pa përvojë diplomatike, pa njohje e pa lobistë; të cilin Edi Rama e konsideron, e trajton dhe e denigron në muhabete tavolinash, u takua e bëri fotografi me Presidentin e SHBA, Joe Biden bashkë me dy zonjat e para.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, pavarësisht teatrit me ambasadorin rus në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit OKB dhe pavarësisht se si kryeministër i Shqipërisë drejton këtë këshill, u shpërfill totalisht nga shefat e SHBA-BE, duke mos e takuar asnjë prej tyre.
Me atë fotografi zyrtare, Presidenti Joe Biden njohu Bajramin si të parin e Shqipërisë dhe si partner komunikimi ndërshtetëror të SHBA-Shqipëri, duke përmbysur praktikën, që për faktin se jemi Republikë Parlamentare, nivel kontakti e bashkëveprimi ka qenë kryeministri Edi Rama, ndërsa presidenti në takime formale e letra kredenciale.
Pra, Presidenti i Republikës, megjithëse figurë honorifike e Shtetit Shqiptar, u preferua nga presidenti i SHBA dhe u prit nga disa homologë të tij e zyrtar të lartë të DASH, ndërsa kryeministrin nuk e përfillën as zyrtarët e mesëm të DASH që ishin në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të OKB.
E vetmja fotografi që mundi të siguronte Edi Rama në SHBA, ishte ajo e pozimit privat me ish-ambasadoren Yuri Kim, por nuk e takoi as zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, që është i dërguar i posaçëm i Presidentit Joe Biden në Shqipëri e Rajon.
Ftohtësia e menjëhershme amerikane ndaj Edi Ramës, është sinjal i një dimri të vështirë politik, me të cilin ka filluar të përballet “lideri ynë global”, që kaloi deri në psiko-delir sikur drejton botën./Pamfleti