Politike10 Prill 2023, 20:53

Krimi në politikë/ KAS shpëton Qerim Ismailajn, nesër vendoset për fatin e Kreshnik Hajdarit dhe Rezart Tushes

Shkruar nga Pamfleti

Krimi në politikë/ KAS shpëton Qerim Ismailajn, nesër

Dekriminalizimi është rikthyer në fokusin e politikës. Historikisht sa herë ka pasur zgjedhje, kanë dalë emra të lidhur me krimin dhe kështu ka ndodhur edhe këtë vit.

PS dhe PD akuzojnë njëra-tjetrën se kanë kandiduar persona me rekorde kriminale dhe topi tani është në fushën e KQZ. Sot ky institucion ka marrë vendimin e parë lidhur me zbatimin e ligjit të Dekriminalizimit.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për hetim të thelluar ndaj kandidatit të Mallakstrës, Qerim Ismailaj. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me 6 muaj burgim Qerim Ismailajn në shkurt të këtij viti për falsifikim të dokumentave, për shkak se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim 3 vjet në Greqi për akte dhune. Për PD ai është në kushtet e ndalimit.

Në bazë të parashikimeve ligjore të mësipërme rezulton që situata juridike e shtetasit Qerim Ismail Ismailaj bie në kushtet e ndalimit të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe më konkretisht të neneve 2 dhe 4 të tij sepse: (i) me Vendimin Nr.11 i datës 02.02.2023 të GJKKO i pandehuri Qerim Ismailaj është dënuar më vendim të formës së prerë me 6 muaj burgim sipas pikës 1 të këtij vendimi për veprën penale "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve" parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal. Siç shihet dhe nga vendimi i gjykatës kjo vepër kryhet vetëm me dashje dhe në këto kushte ky shtetas ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar; (ii) vendimi gjyqësor është dhëne nga një autoritet shqiptar; (iii) vendimi është i formës se prere duke nisur nga data 29 Mars 2023; (iv) periudha e rehabilitimi prej 2 vjetësh nuk është ezauruar dhe sipas ligjit skadon në 29 Mars 2025”, shprehej PD. Por KAS e ka rrëzuar këtë kërkesë duke i hapur rrugë kandidimit të Ismailajt.

Ndërkohë nesër do të jetë Ilirian Celibashi që do të nisë shqyrtimin e kërkesave për Kreshnik Hajdarin e Kuçovës dhe kandidatin e opozitës në Shijak, Rezart Tushe. Për kandidatin e PS ka akuza se është i dënuar në Greqi, ndërsa Tushe akuzohet se është dëbuar nga Zvicra për posedim droge.

Sa i përket pretendimeve në dy raste, mbi përputhshmërinë me ligjin për dekriminalizimin, me shumë mundësi të mërkurën do hapim procesin e shqyrtimit të kërkesave. Nëse do jetë rasti për procedim me hetim të theluar, do i kërkojmë Prokurorisë të angazhohet, në të kundërt do merret vendimi nga komisoneri për këta kandidatë”, deklaroi Celibashi.

Por ashtu siç ka ndodhur gjithmonë. Të tre emrat me shumë mundësi do regjistrohen në zgjedhje dhe do pritet verdikti i prokurorisë nëse janë apo jo në kushtet e ndalimit, verdikt që mund të zgjasë me vite. /Pamfleti

dekriminalizmi kqz kas