Politike13 Prill 2023, 21:59

Intervista/ Nga afera “McGonigal”, te paratë ruse dhe “shuplaka” ndaj Berishës, i dërguari i DASH mesazhe të forta politikës

Shkruar nga Pamfleti

Intervista/ Nga afera “McGonigal”, te paratë ruse dhe

Unë do të thoja se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë.

I dërguari i DASH për Ballkanin, Gabriel Escobar ka dhënë mesazhe të forta për politikën shqiptare. Ai vizitoi 3 ditë Tiranën dhe në një intervistë për Grida Dumën, i ka shënjestruar të gjithë. Berishës ja bëri të qartë se “non grata” nuk hiqet dhe se për ta ai nuk ekziston. Po ashtu e paralajmëroi për sulmet ndaj Yuri Kim. Ramës i dha goditje për aferën “McGonigal”, pasi kur u pyet si janë raportet me të, ai devijoi duke thënë se SHBA i ka raportet me shqiptarët dhe jo me individët. Po ashtu foli pë financimet ruse. Më tej u ndal te zgjedhjet dhe paralajmëroi se do të ketë të tjerë “non grata”.

-A është vizita juaj e fundit e fokusuar te zgjedhjet vendore apo edhe në zhvillimet në rajon, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi? Publiku shqiptar është disi i ndarë. Shqiptarët mendojnë se Shqipëria ka një rol për të luajtur dhe nuk po e luan plotësisht, ose pjesa tjetër mendon se kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Cili është qendrimi juaj në lidhje me këtë?

Shiko, do të filloj me pyetjen e parë. Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë patur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit. Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar.

-Zgjedhjet vendore. Dje mesazhet tuaja, të gjitha vizitat dhe takimet tuaja që dolën në media ishin: kujdes me kandidatët me precedentë penalë në listat e partive politike. Nëse kemi ende disa nga këta kandidatë që nuk e respektojnë këtë, a do të ketë një reagim ndryshe, të fortë nga Shtetet e Bashkuara këtë herë?

Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person. Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara, nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të anti-korrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.

-Sa i përket përcaktimit non-grata, përcaktimit të shumë njerëzve nga pala europiane, ne kemi pyetur Bashkimin Europian, ç’është ky, le të themi, emërtim "non-grata" për ju, si e përfytyron Bashkimi Europian? Ka kaluar kohë dhe jemi në pritje të emrave të tjerë nga shkallët e larta të politikës. A ka ndonjë shans që të kemi edhe disa emra në Shqipëri për të parë vazhdimësinë e dorës së fortë të SHBA-ve? Sa i përket antikorrupsionit dhe ecjes përpara…

Shiko, kjo ka tre pjesë. Dua të them, para së gjithash, ne nuk i shfaqim paraprakisht veprimet tona për sanksionet, ndaj në fakt nuk mund të flas për këtë. Gjëja e dytë është se ne jemi shumë të përkushtuar për të përdorur çdo mjet që kemi, përfshirë sanksionet, për të luftuar korrupsionin në botë. Dhe në këtë pjesë të botës, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, korrupsioni është e vetmja çështje që përshkon të gjitha vendet e rajonit. Por së treti, e dini, marrëdhënia jonë me Shqipërinë nuk ka të bëjë me sanksionet. Marrëdhënia jonë është një partneritet i pjekur midis dy partnerëve të barabartë në një aleancë dhe në një partneritet strategjik dypalësh. Pra, a i mbetet në fakt Shteteve të Bashkuara të bëjë këto përcaktime? I takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe ta ndjekin penalisht kudo munden. Dhe kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi është kaq e rëndësishme, sepse nuk na takon ne ta bëjmë këtë punë në emër të popullit shqiptar. Ata kanë aftësinë ta bëjnë vetë. Dhe këto qeveri dhe çdo qeveri, qoftë kjo apo pasardhësja e saj, ka një detyrim ndaj njerëzve që të sigurojë që kjo të ndodhë.

-Ka pasur një betejë dyvjeçare në opinionin publik dhe protagonistët, le të themi, politikë po e diskutojnë atë si politikë përçarëse. Mendoni për opozitën – Partinë Demokratike. Shumë thonë se kjo ka ardhur për shkak të shpalljes "non-grata" të Sali Berishës. Tani, Sali Berisha vazhdon të jetë në krye të një pjese të opozitës dhe po e quan veten kreun e saj. A ekziston ndonjë mundësi, siç shumë po përpiqen, të themi, të ushqejnë veten, a ka mundësi që për shkak të ngritjes së tij si pjesë e opozitës, të ketë një qendrim të rishikuar për statusin "non-grata" të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara ndonjëherë?

Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thoja se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtetë të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë.

-Pra ai është e shkuara?

Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara.

-Financimi rus në partitë politike është një çështje e rëndësishme. Është vërtetuar se ka – në realitet – parti politike dhe disa individë që kanë marrë para nga kompani apo individë rusë. Së pari, a kemi një listë konkrete me emrat e politikanëve nga Shtetet e Bashkuara që kanë para ruse në xhepat e tyre apo në buxhetet e partive tani?

Shiko, nuk do të hyj në detaje. E vetmja gjë që është shumë e vërtetë është se Rusia ndërhyn në zgjedhjet demokratike në të gjithë Europën, jo vetëm këtu, por edhe në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Dhe ka njerëz që janë të gatshëm të pranojnë paratë ruse në emër të çuarjes përpara të agjendës së Rusisë, e cila nuk është një agjendë pozitive për këtë pjesë të botës. Unë do të thoja thjesht se ne duhet të vazhdojmë ta diskutojmë këtë dhe të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin se cilat janë pritshmëritë dhe të ndajmë informacione, kur e shohim, atë çka Rusia po bën në këtë pjesë të botës, sepse ajo (Rusia) nuk ndan të njëjtat synime si Shtetet e Bashkuara dhe Europa për Ballkanin Perëndimor. Ne po përpiqemi të krijojmë përfshirje më të madhe. Ne po përpiqemi të krijojmë një rrugë që këto vende, përfshirë Shqipërinë, të bëhen anëtarë të organizatave transatlantike, përfshirë Bashkimin Europian. Rusia po bën pikërisht të kundërtën. Pra, ne jemi shumë skeptikë për çdo gjë që Rusia bën në sferën politike dhe ekonomike.

-Disa argumentojnë se këto para ruse ishin këtu përpara se të fillonte lufta Ukrainë-Rusi. Ç’është e gabuar në pasjen e lobimit apo njëfarë financimi, qoftë edhe nga Rusia? Pse duhet ta konsiderojmë këtë, le të themi, një krim moral nëse ata politikanë do të argumentonin vetë se kjo ka ndodhur përpara konfliktit Ukrainë-Rusi?

Para së gjithash, do të thoja se ndikimi i huaj në cilëndo zgjedhje, veçanërisht financimi, është pothuajse në çdo rast i jashtëligjshëm. Dhe në shumicën e vendeve demokratike duhet që zgjedhjet të jenë një referendum për njerëzit ndaj udhëheqësve, për ata njerëz. Përpjekjet e Rusisë në të gjithë Europën në mbështetje të kandidatëve, kandidatëve specifikë, me financim nuk kanë qenë për të mbështetur qëllimet e këtyre vendeve, por për të mbështetur ndikimin keqdashës të Rusisë në rajon. Dhe kështu, do të thoja se çdo vend duhet të jetë shumë, shumë i kujdesshëm, përfshirë vendin tonë, për financimin e fushatave, për mediat e lira dhe të drejta dhe për të qenë shumë të qartë për atë që Rusia po bën brenda Europës dhe brenda Shteteve të Bashkuara.

-Pas një dekade, misioni i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka qenë me raste, gjatë kësaj periudhë kohore, veçanërisht i vështirë. Është hera e parë që puna e një ambasadori të huaj, për mendimin tim, ka qenë kaq e vështirë dhe opinioni publik ka qenë shumë më i informuar për misionin e Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Keni një koment për këtë? Sepse për mua është diçka që nuk mund të ndodhte dhe nuk mund të vihej në dyshim. Integriteti, të themi, misioni i plotë si mision publik dhe jo personal.

Nuk është kurrë. Do të thoja se në rajon, të gjithë ambasadorët tanë veprojnë me mbështetjen e plotë të Sekretarit të Shtetit dhe Presidentit. Të gjithë ata po veprojnë në përputhje me vlerat dhe politikat tona. Dhe është për të ardhur keq që disa nga Ambasadorët tanë në rajon janë vënë nën sulm personal. Para së gjithash, mendoj se është e pajustifikuar. Por së dyti, mendoj se është gjithashtu jodiplomatike, sepse ajo që po bën Ambasadorja jonë është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë. Nuk është diçka personale. Është çështje politikash. Mendoj se të gjithë duhet ta njohin këtë. Dhe në fakt, nëse do të më duhej të shtoja një opinion personal, ne kemi një nga Ambasadorët më të mirë të Shërbimit të Jashtëm që shërben në Shqipëri. Pra, nuk është një çështje personale. Është diçka profesionale.

-A e dini nëse i është bërë ndonjë dëm opinionit publik shqiptar nga përçarja e opozitës? A ka rrezik për këtë?

Unë mendoj se ekziston rreziku që ka njerëz që po përdorin ndjenjat anti-amerikane për përfitime personale politike, dhe kjo nuk e ndihmon interesin tonë strategjik apo tuajin. Ndaj, do të isha shumë, shumë dyshues për këdo që vë në lëvizje ose u jep shtysë linjave anti-amerikane, sepse gjithçka që kemi bërë, veçanërisht në dy vitet e fundit, ka qenë për të thelluar marrëdhëniet strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe më duhet të them se Shqipëria zë një pozicion shumë të privilegjuar në politikën tonë të jashtme. Jemi konsultuar me ju dhe keni qenë pjesë e pothuajse çdo ngjarjeje globale për shkak të partneritetit tuaj me Shtetet e Bashkuara. Dhe ne jemi ndihmuar për të çuar përpara vlerat dhe synimet tona në Europë prej partneritetit tonë me Shqipërinë, jo vetëm në NATO apo Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe në mënyrë dypalëshe. Pra, do të thoja se kushdo që predikon çfarëdo lloj anti-amerikanizmi, në fakt nuk ka parasysh interesat e Shqipërisë.

-Çështja “Mc Gonigal” është në vazhdimësi. Ai dëmtoi marrëdhëniet kjo me kryeministrin Rama dhe SHBA?

Do të them dy gjëra. Unë nuk mund të flas për një çështje të hapur penale. Gjëja e dytë siç e thashë më parë, marrëdhënia e SHBA është me popullin e Shqipërisë, me institucionet, jo me një parti dhe jo me një individ. Thënë kështu, marrëdhënia me Shqipërinë është më e mira e patur ndonjëherë.

escobar berish meta