Kabineti i ri do të jetë më i madh, por jo më i besueshëm: akademikë të importuar, ish ministra të Kosovës, fëmijë miqsh e sorosistë të vjetër, madje edhe opozitarë të gatshëm për pazare, në një qeveri që nuk ka më fytyrën e socialistëve...
Llotaria e ministrave të rinj të Edi Ramës do të luhet siç duket me ‘bet’ të lartë deri nesër paradite, por Edi Rama e ka mbyllur listën e tij të kabinetit.
Deri tani, mësohet se Belinda Balluku do të ruajë pozicionin e saj si zv.kryeministre dhe ministre e rëndësishme, por që pritet që dikasteri i saj të ndahet më dysh. Energjetika dhe industria vec dhe infrastruktura së bashku me Ekonominë veç.
Ndërkaq, ministri tjetër që do të ruajë postin pritet të jetë Ulsi Manja.
Krejt pjesa tjetër e kabinetit, që do të jetë më i madh se aktuali, pritet të pësojë ndryshime të thella. Kështu po përfliten dy emra akademikë të vijnë nga Londra; përkatësisht Evis Sala dhe Lea Ypi.
Sala, një mjeke me përvojë që punon në Britaninë e Madhe, njihet për miqësinë familjare me kryeministrin Edi Rama.
Mamaja e Evisit, Valdete Sala, ka qenë drejtuesja e parë e Fondacionit Soros në Tiranë, në fillim të viteve 90 e ka miqësi të vjetër me Ramën, plus i vëllai artist Anri Sala, është gjithashtu mik i afërt i kreut të qeverisë. Evis Sala pritet të emërohet në postin e ministres së Shëndetësisë në vend të Albana Koçiut.
Lea Ypi është përfolur për postin e ministres së Arsimit, apo të shefes së diplomacisë shqiptare.
Përveç Britanisë, pritet që në qeveri të ketë edhe dy prurje nga Kosova: Besnik Tahiri dhe Blerina Abrazhda.
Tahiri, një nga njerëzit më të afërt të Ramush Haradinajt, ka qenë ministër i Zhvillimit Rajonal në Kosovë dhe ministër i Jashtëm. Ai pritet që të emërohet ministrër i pushtetit vendor dhe infrastrukturës. Abrazhda po përflitet në postin e ministres së Brendshme ose atë të Mbrojtjes.
Ish-kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo është kandidat i fortë për postin e ministrit të Arsimit, ose atë të ministrisë së Turizmit dhe Mbrojtjes së Territorit. Deri më tani është folur më shumë për ministrinë e Arsimit, ku ka ka qenë zv.ministër në kohën e drejtimit të Lindita Nikollës.
Në ditën e sotme, ka dalë në qarkullim edhe emri i Besiana Kadaresë, diplomates që ka shërbyer në OKB dhe UNESCO. Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, duket është rikthyer në Tiranë, ku ka qenë aktive në disa postime në rrjetet sociale. Njëri prej të cilave fliste për Tiranën dhe ndërtimin e saj kaotik. Kjo mënyrë postimi, u mor si sinjal për një kandidim të mundshëm të Kadaresë për postin e kryebashkiakes së Tiranës. Por nuk është çudi që të përdoret qeveria, përmes një posti të përshtatshëm, për ta pasur si trampolinë deri në 2027-ën.
Besjana Kadare përflitet si ministre e Kulturës më shumë, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ministria e Jashtme.
Ministria e Bujqësisë, Financat dhe ministria e re e Ndërtimit dhe Territorit, ndoshta edhe ministria e Ekonomisë do tu jepen eksponentëve nga opozita, emrat e të cilëve mbahen shumë sekret nga Rama.
Në javët e shkuara ai ka takuar një numër të madh ish-deputetësh dhe eksponentësh të PD-së në nivele të ndryshme, sa ka pasur mjaft diskutime edhe në oborrin e Partisë Demokratike.
Ish-Deputeti Dash Sula tha para pak ditësh se nuk do ta kishte refuzuar një post në qeverinë e Edi Ramës, ndërkohë kreu i grupit të PD-së në këshillin bashkiak të Vlorës gjithashtu bëri një shkrim në rrjetet e tij, ku theksonte se është pozitive marrja e opozitarëve në qeveri./Pamfleti
Lini një Përgjigje