TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Gusht 2025, 20:43

Java vendimtare e gushtit, kur pritet që ‘Babloku’ të suprizojë me emrat e ministrave

Shkruar nga Pamfleti

Java vendimtare e gushtit, kur pritet që ‘Babloku’ të

Një takim me ministrat në detyrë, takime me drejtuesit politikë, një mbledhje e Asamblesë Kombëtare janë hapat që do të ndiqen deri në bërjen publike të emrave të Qeverisë që do të votëbesohet në shtator…

Në javën e fundit të korrikut, Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim ministrat dhe drejtuesit politik të PS-së në qarqe, për të analizuar performancën e secilit prej anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe vartësve të tyre, përfshi edhe Agjencive në varësi të Ministrive të linjës.

Një javë pas këtij takimi, Rama bashkë me ministrat nisën pushimet, por duke u lënë një porosi vartësve që presin me ankth nëse do të vijojnë të mbajnë postet e tyre: të monitorojnë terrenin dhe të takohen me qytetarë.

Duket se kjo porosi rutinë nuk ka asnjë lidhje me faktin nëse në Qeverinë e re, atë të mandatit të 4-rt rradhazi si Kryeministër pas fitores në zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama do të përcaktojë ‘fatin politik’ të ministrave aktualë nga ajo se çfarë do të bëjnë ato përgjatë muajit gusht.

Aksioni për atë që e quajti ‘çlirimi i hapësirave publike’ vijon të mbahet nga Rama si një çështje kryesore, të paktën për publikun e gjerë, ku herë pas here, Kryeministri poston video apo foto se si fadroma shembin ndonjë strukturë hekuri apo ndonjë ngrehinë, përfshi edhe lavazhot e makinave.

Duket se kjo situatë do të vijojë deri në javën e fundit të gushtit, kur duket se do të përfundojnë edhe pushimet, ndërsa Rama do të njoftojë me një procedurë tashmë të njohur, përbërjen e kabinetit qeveritar.

Një takim me ministrat në detyrë, takime me drejtuesit politikë, një mbledhje e Asamblesë Kombëtare të PS-së, dhe disa persona që shfaqen të surprizuar, kur të dëgjojnë emrin se do të jenë pjesë e Qeverisë që pret të marrë votëbesimin në shtator, me nisjen e Kuvendit të ri.

Mësohet se gjithçka është planifikuar të ndodhë mes 24-31 gushtit, kur duket se Kryeministri do të vendosë edhe pikat mbi ‘i’ me ata që sot mbajnë nga një post ministror, por edhe me të tjerë që drejtojnë Agjencitë më të rëndësishme.

Por në lojë janë edhe pozicione të tjera që nisin nga Kryetari i Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar, apo edhe drejtuesit e Komisioneve Parlamentare që do të kontrollohen nga socialistët. Me një grup parlamentar, ku shumicën e anëtarëve i ka figura pa një eksperiencë të paktën politike, ajo që pritet për t’u parë është nëse do të eksperimentojë ose jo Kryeministri për t’i besuar marrje përgjegjësish, apo do të mbështetet te ‘grushti’ i deputetëve me eksperiencë.

Zhvillimet e mëparshme kanë treguar se “Babloku” eksperimenton dhe nuk është çudi që në poste ministrore të vendosen emra që nuk i përkasin jetës politike aktive. Ajo që të paktën pohohet nga brenda PS-së është fakti se do të ruhet kuota aktuale e përfaqësimit të grave në qeverisje, por edhe në strukturën e drejtimit të Parlamentit.

Dhe po kështu raportohet se prej muajsh në tavolinën e Kreut të PS-së, njëherazi edhe Kryeministër, është një listë me emra që i përkasin diasporës, që nuk është çudi që të kenë marrë propozime për t’u angazhuar në pozicione kyçe, edhe pse është një proces që po mbahet ‘hermetik’ nga Rama.

Momentalisht Rama ka zgjedhur jugun e vendit për të kaluar pushime bashkë me familjen e tij, ndërsa nga raportimet mësohet ka ndërprerë takimet politike me shumicën e anëtarëve të Qeverisë apo strukturës drejtuese në PS, që ndoshta mund të jetë edhe një sinjal i asaj që do të vijë më pas dhe që ka lidhje pikërisht me të ardhmen politike të shumë prej tyre. /Pamfleti/

 

 

 

 

Lini një Përgjigje