TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Maj 2025, 22:19

Kandidatët e PD-së kërkuan videot nga KQZ-ja, zbulohet mesazhi që u ka dërguar Berisha

Shkruar nga Pamfleti

Kandidatët e PD-së kërkuan videot nga KQZ-ja, zbulohet mesazhi

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se Berisha u ka dërguar të gjithëve një mesazh që do të kenë mbështetjen e partisë për të bërë transparent procesin.

Disa kandidatë të Partisë Demokratike kanë kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pamjet filmike nga numërimi i votave. Duket se selia blu do t’i mbështesë ata në këtë proces për të bërë transparencë.

“Është e drejtë e çdo kandidati, e çdo subjekti politik që të verifikojë vërtetësinë e procesit të numërimit, ashtu siç duhet të identifikojmë problemet përpara numërimit, se manipulimi bëhet para se të fillojë procesi i numërimit. Zoti Berisha, sot ka shpërndarë një mesazh tek të gjithë kandidatët, që thotë se secili do të ketë mbështetjen e PD për të bërë transparent procesin. Një proces që nuk është transparent krijon gjithmonë thyerje dhe çarje brenda një subjekti politik. Do krijojë gjithmonë paragjykime”, tha Mediu.

Kryetari i PR-së, i cili në këto zgjedhje garoi në listën e mbyllur të Aleancës Shqipëria Madhështore, tha se ndryshe veproi Partia Socialiste.

“Është e turpshme urdhri që vjen nga Edi Rama që ju mbyllni gojën, mos krijoni pretendime për atë që doni të shikoni dhe kontrolloni, që është mundi dhe djersa e tyre në fund të fundit për atë që kanë bërë në fushatë elektorale, se kështu urdhëron komandanti suprem, që nuk duhet t’i shikojë njeri”, u shpreh Mediu.

Në një intervistë për “TV Klan”, Mediu tha se në këtë fushatë është marrë me anën zgjedhore me Chris LaCivita dhe ekipin e tij.

Por a mbeti i zhgënjyer bashkëdrejtuesi i fushatës së fitores së Donald Trump në Amerikë? Mediu u shpreh se LaCivita ka kontributin e vet në fushatën elektorale. Ai u shtoi se marrëdhënia mes palëve është për një vit dhe çdo gjë do të analizohet.

“Marrëdhënien me ta e kemi për një vit dhe do të shikojmë të gjitha ato që kanë të bëjnë me aspektin zgjedhor, çfarë ka ndodhur në analizë, por edhe në aspektin e një ristrukturimi dhe një menaxhimi më të mirë elektoralo-organizativ të opozitës në të ardhmen”, tha Mediu.

Sipas kreut të PR-së, opozita duhet të vazhdojë me denoncimin e vjedhjes së zgjedhjeve dhe të mos heqë dorë sepse përndryshe bën “krim” ndaj qytetarëve shqiptarë.

Lini një Përgjigje