Politike 5 Prill 2023, 11:42

Kandidatët për këshilltarë bashkiakë, Celibashi: Ka emra që rezultojnë në 3 parti politike të ndryshme!

Shkruar nga Pamfleti

Kandidatët për këshilltarë bashkiakë, Celibashi: Ka

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar ditën e sotme se në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, rezultonin emra që ishin në tre lista të partive politike të ndryshme.

Mes të tjerash, Celibashi tha se kishte edhe kandidatë të cilët as nuk e dinin se kishin kandiduar.

“Kemi patur kandidatë për këshilla që ishin në tre lista të partive të ndryshme. Ka dhe të tjerë që as e dinin se kishin kandiduar. Listat janë formale kur vjen puna te emrat në fund të saj”- u shpreh Celibashi.

Ndërkohë po sot po mbahen diskutimet për prezantimin e platformës elektronike që do të shërbejë për forcimin e monitorimit të financimit për partitë politike në vend.

Të pranishme gjatë këtij prezantimi, është edhe ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann.

Gjatë zhvillimit të diskutimeve, mbajti fjalën edhe kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve,  tha se platforma elektronike do të mundësojë një mbikëqyrje efikase pavarësisht se nuk e zgjidh problemin e financimit të partive politike në vend.

“Projekti i digjitalizimit mbetet nje nga projektet më të rëndësishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në thelb synohet mbështetja e KQZ për raportimin dhe monitorimin e financimit të partive. Platforma nuk është mekanizmi që zgjidh problemin me financimin e partive, por ndihmon administrimin dhe mbikëqyrje efikase"- u shpreh Celibashi ndër të tjera. 

Edhe ambasadorja e BE, Hohmann mbajti fjalën e saj, gjatë prezantimit, duke u shprehur se kjo platformë forcon qytetarët duke u ofruar atyre më shumë transparencë dhe mundësi për të luftuar korrupsionin. 

celibashi kandidatët për këshilltarë bashkiakë