TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 22:22

Nga pite me gjalpë dhe mjaltë, te levrek dhe bakllava, ja çfarë u serviri Erdoğan liderëve të NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
Nga pite me gjalpë dhe mjaltë, te levrek dhe bakllava, ja
Samiti i NATO në Turqi

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan priti liderët e vendeve anëtare të NATO-s me një darkë zyrtare në Pallatin Presidencial në Ankara, ku menuja u përgatit tërësisht me produkte dhe specialitete tradicionale nga rajone të ndryshme të Turqisë.

Mbrëmja nisi me dy antipasta. Të ftuarve iu shërbye pite tradicionale e pjekur në furrë guri, e shoqëruar me gjalpë nga Trabzoni dhe mjaltë natyral me hoje nga Hizan. Antipasta e dytë përbëhej nga perime të stinës të skuqura lehtë me vaj ulliri, të shoqëruara me kos të tymosur nga Denizli.

Si pjatë e ngrohtë u servirën manti, makaronat tradicionale të punuara me dorë dhe të mbushura me mish të grirë, një specialitet i qytetit të Kajserit, të shoqëruara me kos nga Denizli dhe salcë speci të tymosur nga Ayaş.

Për pjatën kryesore, liderët kishin dy alternativa. Njëra ishte fileto levreku e shërbyer me tarama, angjinare Urla Sakız dhe gjethe rrushi nga Tokati. Alternativa tjetër ishte brinjë viçi e gatuar ngadalë, e shoqëruar me gjalpë të karamelizuar nga Trabzoni, patëllxhan të tymosur dhe pilaf me grurë jeshil të pjekur (firik) dhe kërpudha morel.

Për ëmbëlsirë u servir Sütlü Nuriye, një ëmbëlsirë tradicionale turke e ngjashme me bakllavanë, por me një krem më të lehtë. Ajo u shoqërua me shkumë fistikësh nga Gaziantepi, akullore nga Kahramanmaraş dhe aromë bergamoti.

Darka u zhvillua në kuadër të ditës së parë të Samitit të 36-të të NATO-s në Ankara, ku Erdoğan dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdoğan, mirëpritën krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në një pritje zyrtare në Kompleksin Presidencial.

nato turqi

Lini një Përgjigje