
Pas ish kryeministrit Sali Berisha, tani në sulm ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, është hedhur deputeti demokrat, Edi Paloka.
Ditën e djeshme, Kim në një intervistë për VOA ka thënë se “non gratat” nuk duhet të përfaqësojnë popullin, ndërsa theksin e vuri tek mbajtja e zgjedhjeve të lira.
Paloka, në përgjigjen e tij gjatë një interviste për emisionin “7pa5”, ai tha se ambasadorja Kim është paguar që ditën e parë që ka ardhur nga Rama për ta mbështetur atë në çdo gjë, ndërsa deklaratat e saj ai i ka cilësuar si retorika normale për të marrë këstin e fundit të pagesës.
“Në 2021 thamë 1000 gjëra dhe ikëm e shkatërruam PD. Këtë herë nuk do lejojmë me të gjitha mënyrat që të vendoset rezultati i zgjedhjeve nga presione qeveritare dhe para mafie dhe inceneratorësh. Ata që do e bëjnë do japin edhe llogari për këtë.
Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës.Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij.
Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, tha Paloka.
Ambasadorja Kim tha dje se është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i në lidhje me zgjedhjet e kaluara.
Lini një Përgjigje