
Kandidatja e PD-së, Klomentina Drini për bashkinë e Vaut të Dejës ka reaguar pas sulmeve që Sali Berisha i bërë një ditë më parë, teksa prezantoi para demokratëve Zef Hilën.
Drini thotë se PD është parti pro amerikane dhe në këtë garë elektorale do të përfaqësojë me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë Demokratëve në Bashkinë Vau Dejës.
Ndërkohë, ajo thotë se votat e demokratëve nuk mund të shkojnë për Ilir Metën.
“Zoti NONGRATA! Pavarësisht furisë së pritshme të sulmeve të paimagjinueshme ndaj meje, po të sqaroj: Unë jam Klomentina DRINI! Jam PRO AMERIKANE! Jam PRO EUROPIANE! Jam PRO MBRETËRISË! Nuk bashkëpunoj me persona NONGRATA! Koha dhe veprat e kanë vërtetu qëndrimin tim ! Unë jam historikisht me Partinë Demokratike!
Partia Demokratike, nuk është një parti Kryetari që qon ujë në mulli të Ilir Metës, por një PD vlerash, e hapur për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat ide dhe parime të djathta, me orientim qartësisht të fortë pro amerikan, pro perëndimor, me një program modern, vizion e thjeshtësi duke përfshirë në rradhët e veta gjithkënd që ndan të njëjtat interesa dhe filozofi politike.
Theksoj se pjesëmarrja ime në garë elektorale është e vendosur dhe s’ka bashkëpunim apo presion që më kthen pas! Do të përfaqësoj me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë Demokratëve në Bashkinë Vau Dejës. Demokratët e kanë vendin në Shtëpinë e tyre, në Partinë Demokratike”, shkruan ajo.
Ditën e djeshme, Berisha prezantoi Zef Hilën si kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Vau Dejës.
Sali Berisha u shpreh se Hila do të bëjë gjithçka për ndryshimin rrënjësor të gjendjes në këtë bashki.
Sipas Berishës, Hila është njëri nga drejtuesit, njëri nga qeveritarët vendorë dhe menaxherët më të shkëlqyer të PD-së, në qarkun e Shkodrës dhe në mbarë Shqipërinë.