Politike 1 Prill 2023, 09:23

Shqipëria 14 vjet në NATO, Begaj: Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme në botë

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria 14 vjet në NATO, Begaj: Krenarë që jemi pjesë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Shqipëria shënon sot 14 vjetorin e anëtarësimit zyrtar të saj në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e njohur gjerësisht si NATO.

Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009, ku mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Për këtë përvjetor ka reaguar presidenti Bajram Begaj, i cili thotë se Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen e sigurinë dhe është pjesë e aleancës më të fuqishme në botë.

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë”, shkruan Begaj.

Para, por edhe pas anëtarësimit, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.

Në periudhën 1992-1999, Shqipëria vazhdoi përpjekjet rreth procesit të aderimit, duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t'i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.

nato shqiperi 14 vjetori