Politike 1 Prill 2023, 09:51

Si i shpërndau Anila Denaj pronat publike për oligarkët dhe largimi misterioz i Arian Krajës, ortakut të Dulakut dhe jaranit të Mimi Kodhelit

Shkruar nga Pamfleti
Si i shpërndau Anila Denaj pronat publike për oligarkët dhe
Anila Denaj dhe Arian Kraja

Nëse Ridvan Bode e nisi historinë e privatizimit korruptiv të pasurive publike, Anila Denaj e ka kulmuar këtë histori korrupsioni...

Tjetërsimin e pronave dhe godinave shtetërore në Shqipëri e ka nisur Ridvan Bode, një nga ikonat e korrupsionit dhe plaçkitjes, të cilin Edi Rama e shpërbleu duke e bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Bode, një ish spiun dhe kryetar kooperative, si ministër Financash i Berishës për 8 vite, realizoi aferën e shitjes së ish Hotel Dajtit në vitin 2010 tek Banka e Shqipërisë për 30 milionë euro. Për herë të parë në histori, shteti i shiste vetes një pasuri shtetërore.

Më pas janë shpenzuar edhe 14 milionë euro për rikonstruksion. Sot e kësaj dite, rikonstruksioni nuk ka mbaruar, ndërsa miliona euro janë ndarë mes Bodes, Ardian Fullanit, Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Në 2014, Fullani u arrestua. Ilir Meta gjeti Gent Sejkon si Guvernator, i cili vijoi aferën me Hotel Dajtin. Duket e çuditshme se si SPAK nuk e ka hapur ende këtë dosje të zezë me fakte ulëritëse.

Ridvan Bode vijoi shitjen e pasurive publike, duke i kaluar tek klientët e tij dhe të Sali Berishës. Këtu përfshihet edhe privatizimi i ish Klubit Partizani, godina dhe rreth 28 mijë m2 truall, pranë ish Fushës së Aviacionit, ku dhëndri i Berishës ka ngritur 19 kulla sot.

Pasi pushtetin e mori ‘Rilindja’, si në çdo fushë tjetër, afera me grabitjen e pasurive publike u thellua.

Nga shqyrtimi i dokumenteve dhe nga personazhet që po hyjnë dhe dalin sot nga dera e SPAK-ut, historinë e vijuan Mimi Kodheli si ministre e Mbrojtjes, më pas pasardhësja e saj Olta Xhaçka, dhe nga ana tjetër Anila Denaj si ministre e Ekonomisë dhe Financave, dhe sigurisht nga Arben Ahmetaj si ministër i Ekonomisë dhe Financave

Katër ish ministrat janë mbështetur nga një grup drejtorësh dhe sekretarësh të përgjithshëm që kanë bërë letrat si: Arian Kraja, Ergys Misha, Endri Kuçka, Klodian Mene, Geraldina Prodani etj.

Personazh kyç që mund të pendohet dhe të zbërthejë këtë histori korrupsioni me kosto qindra miliona euro, nuk është vetëm Ergys Misha, drejtori juridik pranë Ministrisë së Financave, dhe Drejtori i Drejtorisë për dhënien me qira dhe privatizimin e pronave dhe objekteve publike.

Ka edhe një tjetër personazh, dhe ai është Arian Kraja. Ky i fundit ka qenë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, pranë Mimi Kodhelit 2013-2014.

Si i shpërndau Anila Denaj pronat publike për oligarkët dhe
Arjan Kraja, "piranja" e korrupsionit

Një burim serioz pranë kësaj ministrie, tha se Kraja gjatë kësaj kohe piketoi të gjitha pronat e ushtrisë në Tiranë dhe bregdet, për t'i kaluar në emër të disa biznesmenëve, me të cilët kishte lidhje.

‘Pamfleti’ bëri disa verifikime. Rezulton se Arian Kraja administronte kompaninë ‘Tring’ të Artan Dulakut, i cili ka përfituar prona të ushtrisë, sot të sekuestruara nga SPAK.

Kraja ishte drejtor dhe aksioner me Dulakun tek ‘Tring’. Madje, para se të bëhej sekretar i Përgjithshëm tek Ministria e Mbrojtjes, Kraja ka marrë 300 milionë lekë nga ‘Tring’.

SPAK duhet të verifikojë këtë lidhje korruptive, pasi Kraja, si zyrtar i lartë publik, ka piketuar prona shtetërore, duke i kaluar tek ortaku i tij, Artan Dulaku.

Me ardhjen e Olta Xhaçkës si ministre, Arian Kraja u largua, duke kaluar tek Ministria e Shëndetësisë. Shumë shpejt u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Ai u shkëmbye me Geraldina Prodanin, e cila kaloi sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në fillim të vitit 2019, Kraja nisi të punonte me Anila Denajn, e cila sapo ishte emëruar Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Dy ministritë ishin bashkuar për ta bërë më të lehtë kopsitjen e dosjeve të grabitjes së pasurive publike.

Një burim pranë kësaj ministrie, tha se Kraja është shkarkuar me urgjencë nga lart për një aferë të madhe, për të cilën do të flasim në vijim. Shkarkimi kaloi në heshtje...

Anila Denaj nisi të finalizonte grabitjen e pronave që kishin përgatitur Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Arben Ahmetaj.

Nëse Ridvan Bode e nisi historinë e privatizimit korruptiv të pasurive publike, Anila Denaj e ka kulmuar këtë histori korrupsioni.

Ndërsa Olta Xhaçka, Jeronim Baze dhe Ahmetaj pritet të merren të pandehur, duket e çuditshme se si ka mundësi që SPAK-u nuk e ka marrë ende në pyetje Anila Denajn.

Në këmbim të faljes së pasurive publike, Anila Denaj ka marrë në formë ryshfeti vila, aksione dhe favore të tjera, nga biznesmenët që kanë përfituar pronat, histori për të cilën do të flasim në vijim.../Pamfleti

anila denaj arian kraja mimi kodheli dulaku afera e pronave publike