
Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka kërkuar llogari nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me udhëzimin për ndalimin e monopatinave, një çështje që tashmë është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Kapri theksoi se ky vendim po penalizon të rinjtë që përdorin mjete elektrike për të shkuar në punë apo në shkollë, duke e cilësuar udhëzimin si antikushtetues. Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi nga ana e policisë, duke sjellë shembuj konkretë të rasteve që, sipas tij, janë trajtuar në mënyrë të padrejtë.
Sipas deputetit opozitar, kjo politikë po godet një kategori qytetarësh që përpiqen të adoptojnë forma më ekonomike dhe ekologjike të transportit, ndërsa institucionet, sipas tij, tregojnë standard të dyfishtë në raport me grupe të tjera.
“U bënë 6 muaj që ministria ka marrë vendim antikushtetues që tregon se çfarë përfaqëson qeverisja juaj. Keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike, duhet të ndalohen dhe të bllokohen të gjitha. Keni shkuar deri aty, kur një nënë më ka shkruar se si djali i mitur 17-vjeçar që i kishin blerë një motor elektrik për të shkuar në shkollë, policia ia mori motorin, e kanë çuar në polici, pa praninë e një psikologu dhe si dhanë asnjë letër për pronën e tij.
Kjo tregon modelin tuaj ndaj këtyre të rinjve që janë në model, që shkojnë në punë me mjete elektrike, që i kanë blerë me kredi, një mjet elektrik do të thotë një makinë me pak. Ju vetëm ua vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin, në vend ti inkurajoni i trajtoni si kriminelë. I gjëmoni adoleshentët sikur janë spaçatorë kokaine. Me të fortët jeni kokulur ministër. Do kalojnë me dhjetëra makina luksoze të të rinjve që s’justifikojnë burimin, më thoni sa prej tyre i keni thirru në kom dhe i keni kërkuar llogari për burimin e të ardhurave. Ky nuk është model që e tregoni tek të rinjtë e monopatinave. Heshtin, sepse mesa duket po përgatitet tjetër projekt për oligarkun se si ta kapë këtë model në rritje”, tha Kapri.
Lini një Përgjigje