Partia Demokratike kërkoi interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, duke e fokusuar debatin te integriteti i Policisë së Shtetit dhe ndikimi i rasteve të përfshirjes së punonjësve të saj në veprimtari kriminale.
Deputeti Klevis Balliu deklaroi se fenomeni nuk është çështje politike, por problem që prek sigurinë. Ai përmendi disa raste të ish-efektivëve të përfshirë në trafik droge dhe në bashkëpunim me grupe kriminale, si dhe episodin e atentatit në Rinas ku, sipas tij, në automjet me Gilmando Danin ndodhej një agjent i AMP-së.
Balliu tha se situata reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare.
“Inkriminimi i policisë nuk është akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Këtu nuk cenohet vetëm një institucion, por siguria e çdo qytetari dhe siguria kombëtare. Raporti i Zgjerimit i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 thekson se: “Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit vazhdon të jetë thellësisht e ekspozuar ndaj korrupsionit. Procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë (“vetingu policor"), si dhe procesi i verifikimit të integritetit kanë vijuar, por ndikimi i tyre mbetet i kufizuar”, tha ai.
Në vijim, deputeti demokrat shtoi se raporti evidenton edhe raste presioni ndaj gazetarëve dhe përfshirje të zyrtarëve apo punonjësve të policisë në këto episode.
“Gjithashtu janë bërë më të dukshme rastet e intimidimit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë raste ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë apo punonjës policie, veçanërisht ndaj gazetarëve investigativë dhe grave gazetare”, tha deputeti i PD-së
Duke iu referuar rasteve konkrete, Balliu deklaroi se “keni rastin e Oltion Bistrit, Henrigert Mitri, që tregojnë qartë se si individë në nivele të larta të policisë jo vetëm janë përfshirë në trafik droge, por kanë lehtësuar aktet kriminale të organizatave”.
Ministri i Brendshëm kundërshtoi këto qëndrime dhe kërkoi që Policia e Shtetit të mos përfshihet në përplasje politike.
“Policia e Shtetit është organizatë me burra gra, djem e vajza, që përballen me punë të vështirë, në front me krimin dhe paligjshmërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm kur përdorim politikën e baltës ndaj një organizate të shtetit shqiptar. Nuk do të thotë që probleme s’ka, ka, ka raste të shkeljeve, ka individë që kanë shkelur uniforma e policisë, por dallimi mes një shteti të dobët dhe të fortë qëndron këtu, ai fsheh ai problemet dhe a i adreson me masa konkrete”, shtoi ai.
Lamallari tha se janë shënuar rezultate në sigurinë publike.
“Një e dhënë interesante vjen nga siguria publike, kemi 50% ulje të vrasjeve, krim tejet shqetësues. Lidhur me bashkësinë ndërkombëtar, Shqipëria është vlerësuar pozitivisht nga raportet ndërkombëtare, por dua të theksoj faktin se kemi 38% skuadra më shumë të hetimeve të përbashkëta dhe këto janë bërë të mundura fale operacione me EUROPOL”, tha ai.
Duhet nderhyre ne Ligj, VKM, qe perzgjedhja e titullareve Shefa komisariati apo Drejtore policie, te emerohen mbi bazen e rezultateve ne pune, performances ne pergjithesi, por, ne vecanti edhe te opnionit publik/qytetar, qe nga banesa e tij, kafja ku e konsumon me familjen, lagja, etj. Vetem keshtu do kemi perzgjedhje serioze. me mire se te njeh komuniteti, nuk te njeh njeri. Nderkohe gradat duhet te jene honorifike, dhe jo domosdosmerisht te prevaloje ne emerim/funksion. Cdo emerim i derisotem eshte bere ne dukje me konkurse por ne fakt sipas njohjeve dhe rrethit.