
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të enjte në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër, në nderim të katër martirëve të vrarë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se kjo datë përfaqëson fillimin e revoltës ndaj asaj që ai e cilësoi si farsë elektorale, duke nënvizuar se të rënët sakrifikuan jetën për lirinë dhe votën e lirë.
“Sot, në 35-vjetorin e martirizimit me 2 prill të vitit 1991 të katër bijve të shquar, qytetarëve shembullorë të këtij qyteti, ne përulemi me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të pakufishme para veprës së Arben Brocit, themelues i PD dhe anëtar kryesie i kësaj partie, themelues i pluralizmit politik në Shqipëri, student shembullor, trim dhe guximtar.
Përulemi me nderimin më të madh para veprës së pavdekshme të Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut, Besnik Cekës, qytetarë shembullorë, bij shembullorë të këtij qyteti, trima, guximtarë të cilët sakrifikuan jetën për vlerat më të arrira që ne besojmë.
Të dashur miq, 35 vite më parë, vetëm dy ditë pas përfundimit të farsës elektorale, gjimnazistët e Shkodrës ndërprenë mësimin dhe u ulën mbi çantat e tyre në një formë proteste ndër më të qytetëruara, ndër më paqësoret.
Ata protestuan në dëshpërim të thellë sepse diktatori i fundit komunist në Europë, partia e tij dhe zgjedhjet pluraliste pas pothuajse gjysmë shekulli, i shndërroi në një farsë zgjedhore. Zhgënjimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe po kështu zemërimi dhe dëshpërimi.
Ndaj dhe ata dolën në një protestë, u ulën përballë pallatit të krimit, u ulën përballë selisë së partisë së krimit dhe mbi ta u shkrehën breshëri të shumta kallashnikovësh dhe mitrolozësh.
Ranë në këtë shesh për të mbetur përjetë të gjallë në zemrat tona, për t’u nderuar gjithmonë nga ata që nderojnë votën e lirë dhe lirinë”, u shpreh Berisha.
Katër dëshmorë në 2 prill 1991. Katër dëshmorë në 21 janar 2011 . Udhëheqja komuniste(trashëgimtarët ideologjik) në mazhorancë dhe opozitë në veprim.