
Përfaqësuesi ligjor i grupit të Berishës, Ledjo Nuraj e ka cilësuar maskaradë vendimin e KAS, që detyroi KQZ që të regjistronte në zgjedhje PD-në me Enkelejd Alibeajn kryetar.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës, Nuraj tha se do të ndjekin rrugët ligjore për të ankimuar këtë vendim që sipas tij është absurd
“Sot vendimi i KAS është në paligjshmëri të plotë. Sot KAS guxoi të marrë atributet e gjykatës që Gjykata nuk e ka bërë në një vit e gjysmë. Edhe vetë Enkelejd Alibeaj nuk e kishte kërkuar. Për ne kjo është një maskaradë. Do ta çojmë në Kolegj. Ne do ndjekim rrugët e ankimit, është absurde. Do ta çojmë për animim. Është absurd!”, tha Nuraj.
Pas një seance rreth 60 minutash, KAS vendosi të rrëzojë një vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili i kërkoi PD-së që të sillte një deklaratë të angazhimit solemn në zgjedhjet e 14 majit të firmosur nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj.