Politike16 Maj 2023, 16:12

Këlliçi ndryshe nga Berisha: Nuk arritëm dot t’i bindim qytetarët, të reflektojmë brenda vetes për rezultatin

Shkruar nga Pamfleti

Këlliçi ndryshe nga Berisha: Nuk arritëm dot t’i bindim

Belind Këlliçi duket se ka pranuar humbjen në Tiranë. Ai doli në një konferencë për mediat pas përfundimit të numërimit në kryeqytet, ku u duk shumë më ndryshe nga Berisha. Ndonëse u shpreh se rezultati nuk është real, sepse PS përdori gjithë makinerinë e pushtetit për të mbledhur vota, Këlliçi deklaroi se opozita nuk ja doli të bindë qytetarët që ata ta votonin masivisht.

Berisha nuk e pranon humbjen dhe shprehet se votat u vodhën, por Këlliçi deklaroi se tani problemi duhet të shihet brenda vetes. Ai deklaroi se duhet të bëhet një reflektim se ku çaloi opozita në këto zgjedhje dhe përse nuk arriti të ngjisë te votuesit.

"Unë u paraqita në këto zgjedhje në rrethana aspak normale, si të gjithë kandidatët e opozitës. Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në garën elektorale më të pabarabartë të këtyre 33-viteve, e megjithatë sërish zgjodha të dal para qytetarëve me një program konkret, të detajuar dhe me një platformë e cila vuri në qender nevojat e qytetarëve dhe që ofronte zgjidhje reale për shqetësimet e përditshme.

Megjithatë kjo nuk mjaftoi. Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë.

Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari.

Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh", tha ai.

Ashtu siç ndodh rëndom te ne edhe Këlliçi akuzoi kundërshtarin se tjetërsoi votën. Ai u shpreh se do të mbahet shënim çdo parregullsi në këtë proces.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit, për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve. Ne po punojmë çdo orë për të përgatitur dokumentacionin e plotë për çdo shkelje që është kryer. Rezultati nuk i përgjigjet asaj se çfarë njerëzit, qytetarët mendojnë për kryebashkiakun aktual dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo, në çdo cep të Tiranës, në qytet apo fshat”, tha ai.

Berisha është i vetmi që deri më tani nuk e pranon rezultatin. Më herët ishte Jorida Tabaku, ajo e cila u shpreh se është kokulur dhe justifikimet me vjedhje votash nuk pinë ujë.

Në përditësim...

kellici tirana