Në 6 bashki vijon numërimi i votave për këshillat. Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Partia Socialiste ka fituar tashmë në 48 këshilla bashkiakë ku numërimi është mbyllur dhe kryeson në 6 të tjerë me një diferencë të thellë, duke konfirmuar, ndonëse jo përfundimisht drejtimin në 54 këshilla.
Në vend të dytë nga forcat politike renditet Partia Social Demokrate e Tom Doshit e cila ka fituar 2 këshilla bashkiakë (Vau i Dejës dhe Pukë) ku ka përfunduar tashmë numërimi dhe kryeson në Malësinë e Madhe.
Në katër këshilla bashkiakë (tre prej të cilave ka përfunduar numërimi) ka barazim votash.
Në Tiranë janë numëruar 917 kuti nga 941. Partia Socialiste udhëheq garën dhe deri më tani rezulton të ketë fituar 34 mandate. “BF” merr 16 mandate.
Në Kukës kanë mbetur për t’u numëruar 15 kuti. Për momentin udhëheq PS-ja me vota, por nëse ndahet në mandate ajo, së bashku me PAA-në marrin nga 4 anëtarë në Këshill. Megjithatë pritet përfundimi i numërimit të votave pasi diferenca është e ngushtë.
Në Kurbin janë numëruar 36 kuti nga 74 qendra votimi që janë gjithsej. Edhe këtu udhëheq Partia Socialiste. Në Kurbin ka marrë deri më tani 8.36% kandidati i pavarur për këshill, Diogjen Kolici, duke rritur shanset për të fituar një vend.
Në Krujë do të numërohen edhe 9 kuti. PS-ja udhëheq bindshëm garën duke fituar deri më tani 12 mandate.
Edhe në Kavajë pritet që të mbarojë shumë shpejt numërimi. Teksa kanë mbetur edhe 2 Qendra Votimi për t’u numëruar, PS merr 13 mandate.
Në Malësi të Madhe vijon po ashtu numërimi. Këtu udhëheq Partia Socialdemokrate, e cila mund të marrë 8 mandate. Ndiqet nga PS që është në kuotën e 7 mandateve. Në Malësinë e Madhe kanë mbetur pa u numëruar 22 kuti votimi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se pritet që sot të dalin rezultatet përfundimtare. Ajo u shpreh se nuk ka pasur ndonjë problematikë. Procesi është vonuar për shkak se komisionerët kanë vendosur të pushojnë.
Lini një Përgjigje