Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu po raporton ditën e sotme në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi gjendjen e sigurisë publike në vend.
Gjatë fjalës së saj, Koçiu deklaroi se Shqipëria është një vend i sigurtë dhe se është ulur numri i krimeve të rënda.
“Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton ti referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë”, tha Koçiu në fjalën e saj.
Por, për çfarë sigurie e ka fjalën Koçiu?!
Mos duhet t’i kujtojmë ministres se në vendin tonë “të sigurt” vetëm disa ditë më parë u vranë 3 persona brenda një dite. Një baba i cili u masakrua me thikë në sy të fëmijëve të tij nga një 63-vjeçar në Berat. Një kuzhinier i cili u qëllua me thikë nga kamarieri pasi e bullizonte. Apo një 25-vjeçar i cili vret të atin pas sherrit në tavolinën e bukës.
Mos duhet t’i përmendim ministres së Brendshme edhe aksidentet në humbje jete apo dhe në të plagosur të cilat kanë një statistikë të frikshme në vend, ku shumica ndodhin për mungesë sinjalistike dhe sigurie në rrugë.
Sot që del e mban fjalën duke treguar me krenari që vendi ynë është i sigurt, duhet t’i kujtojmë Koçiut se një gjyqtar u vra në mes të sallës në krye të detyrës, pasi në një institucion ku duhet të ishte i ‘blinduar’ nga siguria, mungonin policët roje.
Lini një Përgjigje