
Pak orë para mbledhjes së deputetëve në seancë plenare, është mbledhur pak më parë Konferenca e Kryetarëve të grupeve dhe komisioneve parlamentare, ku në fokus janë diskutimet e fundit të kësaj legjislature.
Por kjo mbledhje duket se është shfrytëzuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.
Bardhi akuzoi kryetaren e Parlamentit se e kanë kthyer Kuvendin në pronë private, ndërsa vijoi me pretendimet për ‘dhunim zgjedhjesh’. Më tej, Bardhi i tha Spiropalit se do të zëvendësohet nga Zegjine Çaushi, kandidatja e re socialiste që fitoi në Fier.
"E keni kthyer kuvendin si prone private. Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, ku në fakt jeni kthyer nga një llum që e keni krijuar ju me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi për të bërë vetëm ti foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lëmë as çështje jashtë rendit të ditës.
Këtë e garanton Rregullorja e Kuvendit. Unë e kuptoj që ju ju nuk doni debat, sepse doni ta trajtoni sikur jeni kthyer nga pushimet, ku në fakt ju jeni kthyer nga drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal, ku vodhët dhe dhunuat zgjedhjet, duke e krahasuar Shqipërinë me Rusinë.
Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë private, e as vendin si normalitet. Siç e thotë OSBE, ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrezuar nenin 1 të Kushtetutës.
E përsëris, ju doni që Shqipëria të krahasohet me Rusinë apo me Serbinë.
Kush e cakton se çfarë bëhet në Konferencën e Kryetarëve dhe në Kuvend? Partnerët tuaj, Suel Çela, apo Troplinët e Durrësit?
Zonjë duhet të sqarosh ato çfarë unë ngre këtu. Nuk lejoj të flasë ushtari i Suel Çelës. Dhe ti zonjë mos m’u sill sikur ke ardhur nga Suedia, por keni ardhur nga strofulla e Xhabaftëve. U kërcënuan fëmijët e kolegëve të tu dhe ti si Kryetare e Kuvendit shkove e more në mbrojtje Xhabaftët", tha Bardhi.
Elisa Spiropali: Ma jep të drejtën rregullorja të përcaktoj rendin e ditës.
Gazment Bardhi: Nuk do të jesh më këtu, do të zëvendësohesh nga Zegjine Balluku.
Lini një Përgjigje