TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2023, 18:01

Konflikti në PD/ Alibeaj “goditje” Bardhit, Tabakut dhe Berishës, jep sinjale për rikthimin e Bashës?

Shkruar nga Pamfleti

Konflikti në PD/ Alibeaj “goditje” Bardhit, Tabakut dhe

Sipas Alibeajt, nëse PD reformohet, të gjithë mund të kenë të drejtë të kandidojnë për të marrë kreun e partisë, përfshirë dhe Bashën.

Enkelejd Alibeaj ka dhënë sinjale se ka pasur krisje mes tij, Gazment Bardhit dhe Jorida Tabakut. Kjo e fundit nuk u angazhua në fushatë, ndërsa Bardhi doli krah kandidatëve të Berishës. Këto lëvizje duket se nuk janë pëlqyer nga Alibeaj, i cili sot i ka “thumbuar”.

Gjatë një interviste ai tha se priste prej tyre që të ishin në bazë dhe të punonin për të mirën e PD.

Zonja Tabaku ka kërkuar që të mos kishim asnjë kandidat për kryetar bashkie. Bardhi ka thënë që nuk duhet të kemi kandidatë përveç në 2 apo 3 bashki ku pretendohej se do ishim fitues. Ata i kanë bërë publike. Kam pasur disa kontakte me ta, kryesisht me zotin Bardhi. Më pas jo sepse secili duhej të bënte detyrën në zonën e vet ku doli deputet. Doja një angazhim jo vetëm prej tyre, por nga të gjithë deputetët, në zonat e tyre dhe prisja një angazhim më të fortë dhe publik. Se deputeti këtë ka, qëndrimin publik. Nuk kam qenë dakord me kolegët që kanë bërë thirrje që të votonin kandidatin e "Bashkë Fitojmë". Kjo nuk jep sinjale komforti ndaj bazës sonë”, tha ai. Duket se kjo e fundit ishte goditje për Bardhin, i cili kërkonte vota për Zef Hilën.

Alibeaj deklaroi më tej se ka ardhur koha që PD të distancohet nga Berishizmi. Sipas tij, Rama, Meta e Berisha kanë 30 vite që mbajnë peng vendin dhe e ardhmja e PD duhet të jetë te figurat e reja.  

Duhet distancim nga korrupsioni dhe nga non grata. Nuk mund të bëhej fushatë për një parti të majtë si PL.

Ajo që unë besoj se problemi sot është paaftësia për tu shkëputur nga e shkuara, tranzicioni 30-vjeçar që personifikohet nga këta 3 individë. Këta kanë 30 vite në politikë dhe kanë rekorde që në Europë nuk njihen më. Rama është në pushtet nga 1998. Berisha dy herë kryeministër dhe president. Meta po ashtu.

Unë besoj që panorama sot është një regjim i instaluar prej Ramës nga 2013 e këtej. Pyetja që shtrohet është se si do rrëzohej ky regjim. Unë besoj se për ta rrëzuar është që e djathta të bëjë një proces katarsis, që të jenë të besueshëm te shqiptarët. Vetëm shqiptarët e rrëzojnë këtë regjim. Për të qenë të besueshëm, problemi më i madh është Berisha. Për këtë arsye, që të jemi të besueshëm, se shqiptarët na thonë po ju keni aftësi që të jeni nesër e nesërmja? Ta nisim nga vetja. Të distancohemi si unë dhe 103 mijë veta që besojnë se berishizmi duhet të ikë. Duhet një PD e çliruar. Një parti që jep hapësira”, tha ai.

Por Alibeaj ka dhënë sinjale se ndoshta mund të kemi rikthim të Bashës. Edhe pse fillimisht deklaroi se PD nuk duhet të vërtitet rreth kryetarit, sipas Alibeajt, nëse PD reformohet, të gjithë mund të kenë të drejtë të kandidojnë për të marrë kreun e partisë, përfshirë dhe Bashën.

Duhet të shkëputemi nga mendësi e partisë që vërtitet rreth njëshit, kushdo qoftë ai. Partia duhet të ketë ristrukturim, ide të reja, ndryshime të rregullave. Ndarje të pushteteve brenda partisë, instrumente kontrolli ndaj kryetarit dhe strukturave drejtuese. Nëse bëhet kjo, emri i kryetarit është i parëndësishëm. Pas këtij momenti çdokush që gjykon brenda vetes ka të drejtë të kandidojë në një proces të ndershëm, ku pesha e anëtarëve të partisë është ajo që vendos. Kjo nuk duhet të çudisë askënd”, tha ai.

Alibeaj dha dorëheqjen pas disfatës në zgjedhje dhe tani ka nisur një garë se kush do marrë frenat e partisë. Zërat në prapaskenë flasin për një rikthim të Bashës.

alibeaj basha berisha

Lini një Përgjigje