
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar fuqishëm në rrjetet sociale pas publikimit të raportit të Transparency International për vitin 2025. Ai e konsideron këtë raport si një akuzë të hapur ndaj qeverisë, duke vënë në dukje se Shqipëria ka rënë përsëri në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe renditet më keq se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Salianji nënvizon se korrupsioni nuk është më një devijim i rastësishëm, por një sistem funksionimi që prek çdo qytetar nga ryshfetet për leje, vonesat në drejtësi për të favorizuarit e pushtetit, deri tek tenderat që shpallen për klientët e caktuar.
Ai thekson gjithashtu se integrimi europian arrihet duke ndërtuar një shtet mbi baza ligjore, meritë dhe barazi para ligjit, jo përmes fjalëve dhe propagandës boshe.
"Raporti i Transparency International për vitin 2025 nuk është vetëm statistikë. Është akuzë ndaj qeverisë! Shqipëria bie sërish në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Më keq se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ky është turp kombëtar dhe përgjegjësia ka emër: Edi Rama dhe qeveria e tij! Korrupsioni nuk është “perceptim”.
Është realitet që e prek çdo qytetar:
– kur biznesi paguan ryshfet për një leje,
– kur drejtësia vonohet për mikun e pushtetit,
– kur tenderat ndahen mes klientëve,
– kur shteti sillet si pronë private.
Korrupsioni nuk është më devijim.
Është bërë sistem funksionimi. Ndërkohë propaganda flet për “integrim europian”.
Por Europa nuk ndërtohet me fjalë.
Europa ndërtohet me ligj, meritë dhe barazi e sundim të ligjit!
Me këtë nivel korrupsioni, integrimi është mashtrim, fasadë.
Shqiptarët nuk meritojnë të jenë të fundit në rajon.
Meritojnë një shtet që punon për ta, jo kundër tyre.
Koha e justifikimeve ka mbaruar.
Koha e përgjegjësisë ka filluar.
Shqipëria nuk rrëzohet nga qytetarët.
Rrëzohet nga korrupsioni i pushtetit.
Ky sistem duhet ndryshuar.", shkruan Salianji.
Lini një Përgjigje