
“Rama është i vetmi kryeministër që nuk ngriti dot një shtet social”, kështu tha Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania. Sipas tij kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me parimet e të majtës pasi është kujtuar të flasë për rritjen e rrogës minimale pas 10 vitesh.
“Edi Rama është i vetmi socialist në planet që nuk ngriti dot një shtet social. Ai dështoi qoftë në sigurimin e një minimumi jetik, qoftë në rrogat minimale, qoftë në barazinë sociale, qoftë në përkrahjen sociale. I gjithë sistemi social i të majtës shqiptare është inekzistent surreal.
Ramiz Alia ka bërë gabimin e jetës së tij kur ka ikur nga politika, duhet ta vinte Edi Ramën në krye të Partisë Demokratike dhe Sali Berishën komunistin ta vinte kryetar të Partisë Socialiste. Nuk ka më të djathtë se ky njeri. Ky nuk ka lidhje me konceptet e të majtës”, tha Kreshnik Spahiu.
Mw tej ai deklaroi se shitblerja e votës është një fenomen shqetësues në Shqipëri, por kjo nuk ndodh në çdo vend të rajonit.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Spahiu tregoi rastin kur një politikan shqiptar, të cilit nuk ia përmendi emrin, shkoi në disa familje maqedonase për të blerë vota.
Një familjeje, ai i ofronte 5 mijëra euro, por që u refuzua.
“Kam një histori me një politikan në Maqedoni, i cili pasi kishte siguruar të gjithë votat e shqiptarëve në zonën e tij, i duheshin edhe disa vota maqedonase. Me 5 mijë euro, i ka shkuar disa familjeve maqedonase. Kishte listuar familjet më të varfra maqedonase dhe u kishte shkuar kryefamiljarëve.
20 familje kishin refuzuar 5 mijë euroshin e këtij personi, politikanit shqiptar dhe nuk e shisnin votën. Jo 50 euro, as 500, por 5 mijë euro, familje shumë të varfra në Maqedoni. Maqedonas shumë të varfër që nuk kanë bukë të hanë, për 5 mijë euro nuk e sheshin votën”, theksoi ai.