
Teksa zgjedhjet po afrojnë, kandidatët lëshojnë perla me deklaratat dhe premtimet e tyre. Një ndër ta është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Erion Veliaj thotë se në Tiranë trafiku i makinave është normal, përveç ditëve me shi apo kur është orari që qytetarët shkojnë apo kthehen nga puna. Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, Veliaj tha cilësia e ajrit në Tiranë është vlerësuar “i mirë” nga sateliti i BE.
Ai thotë se në qytetet e mëdha gjithmonë ka ngarkesë trafiku, teksa silli si shembuj disa nga kryeqytetet e vendeve të BE.
“Më rezulton që përveç të orës së pikut qartazi kur të gjithë shkojmë në punë apo kthehemi nga puna, ka një rrjedhshmëri normale. Ditët e shiut apo orët e pikut janë momente që në çdo qytet ka probleme të trafikut. Sot po të shikojmë në horizont, ka një rrjedhje të trafikut që nuk më duket dramatike. Por qyteti ka fituar një mushkri. Nëse sot hapim Il Meteo që tregon cilësinë e ajërit në qytet nga Koperniku që është sateliti i BE. Kjo ka qenë e kuqe, sot është mirë, ndërkohë që ka qenë keq apo shumë keq. Trafiku është një sfidë e jashtëzakonshme për çdo qytet të madh fjala vjen, nuk ka trafik në Janinë,por ka në Athinë, nuk ka në Bari, por ka në Romë dhe Milano dhe nuk ka trafik në Këlcyrë dhe në Has, por ka në Tiranë. Në Tiranë të regjistruar janë 180 mijë makina, ndërkohë bashkë me ato që vinë nga rrethet janë 250 mijë makina në të njëjtin qytet me akset që kemi trashëguar nga koha e Italisë. Ajo që më rezulton nëse në hyrje të Tiranës duheshin dy apo tre orë sot kalon për pak minuta”, tha Veliaj.
Por perlat nuk ndalen me kaq. Veliaj ka deklaruar se ka mbrojtur qendrën historike të Tiranës nga kullat. “Të gjitha bizneset, turzimi dhe aktivitet ndodhin në qendër të Tiranës, ti nuk mund të çosh të huajt te bregu i lumit e tu thuash kryeministri është këtu, ministritë janë këtu, eventet ndodhen këtu. Qendra historike është mbrojtur. Ka një treg për të gjitha, siç ka një treg me të ardhur modeste, ka një ekonomi të mesme dhe është dhe ajo që quhet “prime real state” dhe përsa kohë ka një treg dhe nga të huajt. Sot kemi në Tiranë 25 mijë italianë që jetojnë. Rritja e vlerës së pronës është një lajm i mirë. Kemi patur një rritje me 10% deri në 11%”, tha Veliaj.