Politike17 Mars 2023, 17:15

Kreu i ri i SHISH, Çollaku: Provokim i panevojshëm ndaj Kosovës, Begaj të verifikojë Vlora Hysenin

Shkruar nga Pamfleti

Kreu i ri i SHISH, Çollaku: Provokim i panevojshëm ndaj

Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të emëruar Vlora Hysenin në krye të SHISH ka sjellë reagime të shumta politike. Ajo ka qenë më herët zv/drejtoreshë e Shërbimit Inteligjent në Kosovë dhe sot Rama ja propozoi Begajt që të marrë frerët e inteligjencës shqiptare.

Sipas deputetit Kreshnik Çollaku, emërimi i saj është një provokim për autoritetet e Kosovës. Sipas tij, duhet të hetohet se përse ajo është shkarkuar, ndërsa kërkon nga Begaj që të mos lejojë një kurs përplasjeje me Prishtinën.

Postimi i Çollakut

Nga mediat mësova se kryeministri Rama ka propozuar presidentit Begaj znj. Vlora Hyseni, si kandidate për kreun e SHISH.

Është hera e parë që e dëgjoj emrin e znj. Hyseni dhe nuk kam asnjë njohje për cilësinë dhe aftësinë e saj në krye të kësaj detyre.

Çfarë më bën përshtypje është fakti se znj. Hyseni ka mbajtur për një periudhe kohe pozicionin e nën drejtores se AKI (Shërbimit Inteligjent të Kosovës) dhe është shkarkuar nga aty nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Nuk njoh asnjë nga arsyet e këtij shkarkimi, por më duket e pazakontë që një zyrtar të shkarkuar nga institucionet e Kosovës (në fushën e inteligjencës) të emërohet po në këtë fushë nga Shqipëria.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kosovës janë vëllazërore e duhet të shkojnë drejt funksionimit të përbashkët.

Ky rast me duket një provokim i panevojshëm nga Shqipëria karshi institucioneve të Kosovës. Është jashtë çdo arsyeje që kjo të ndodhë.

Midis institucioneve të dy vendeve tona duhet sa më shumë bashkëpunim e bashkërendim, ndërsa gjeste të tilla stimulojnë konflikt të panevojshëm dhe të dëmshëm.

Unë nuk e kuptoj këtë sjellje të kryeminsitrit, por mbetem me shpresë se Presidenti Begaj nuk do të lejojë krijimin e një klime të panevojshme e të dëmshme provokimi, mosbesimi e mosbashkëpunimi midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë.

 

collaku shish rama hyseni